E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkim Shehu: "Do shkruaj sërish për komunizmin"

Nuk ndodh çdo ditë, nuk është as e zakonshme që tingujt e Mozartit të të sjellin në kujtesë diktaturën shqiptare. I ulur në sallën e Operës së Barcelonës, "Cossi fan tutte" do të ngacmonte Bashkim Shehun të shkruante një roman të tërë. "Mozart, me vonesë", një botim i "Toenës", është promovuar dje në mjediset e Muzeut Kombëtar. Vet shkrimtari e ka të vështirë të thotë me fjalë gjithë atë ngacmim që e çoi në një proces letrar. Por ishte thuajse i sigurt se do të kishte ngjyra shqiptare. "Pavarësisht se jetoj prej vitesh në Spanjë, mendimet si njeri, por edhe si shkrimtar, rrjedhin natyrshëm në shqip. Ishte një proces spontan ndërthurja e kësaj vepre operistike me jetën në Shqipërinë komuniste. Brenda kësaj vepre të Mozartit ka një shfaqje tjetër, ka një dramë brenda dramës, ose një komedi brenda dramës. E tillë ishte edhe jeta shqiptare e asaj kohe", shprehet shkrimtari. Ngjarjet nisin e zhvillohen diku rreth fundit të viteve ‘50, kohë kur qeveria e atëhershme prish marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe shtrihen dora-dorës deri në ditët tona. Në prezantimin e këtij romani, drejtoresha e shtëpisë botuese "Toena", Irena Toçi, do ta theksonte si një vepër me nota autobiografike, elemente të pranishme edhe në veprat e mëparshme letrare të autorit. "Duke u kthyer sërish tek ato qindra faqe të botuara deri sot, që përbëjnë veprën letrare të Bashkim Shehut, do të jenë gati gjithmonë të pranishme e të dukshme në to, notat autobiografike, pjesë të realitetit që kemi jetuar në një kohë tjetër, personazhe që nuk është e vështirë t‘i identifikosh me emrat e tyre të vërtetë. Por, nga ana tjetër, vërtetësia e qenies së tyre që vjen në përgjithësi nga pozicioni i tyre shoqëror dhe fati i tyre i njohur nga shumëkush i japin dorë autorit të ndërtojë me mjeshtëri stilistike, me fantazi krijuese dhe analizë të thellë psiko-filozofike gjithë sfondin e kohës, por edhe karakterin e këtyre personazheve", shprehet Toçi. Bashkim Shehu është protagonist i asaj kohe, së pari me dënimin e tij, e pastaj si pjesë e një familjeje me pozita politike. "Ndërthurja mes ngjarjeve reale të periudhës komuniste me anën artistike të romanit për mua është një nga teknikat më të thjeshta në letërsi. Ngjarjet reale janë sfondi i përgjithshëm, ndërsa personazhet, janë ana konkrete. Pretendimi im nuk është që të shkruaj historinë, por një vepër letrare. Ngjarjet historike, politike psikologjike vendosen vetvetiu në këtë roman", shprehet Shehu, i cili jeton dhe punon në Barcelonë si këshilltar për Europën Lindore në Qendrën e Kulturës Bashkëkohore të Barcelonës.

Shpërfaqen në këtë roman ngritja, por edhe fundi i një familjeje me pushtet të kohës. Ngritja që vjen natyrshëm falë aktivitetit mbështetës të ideologjisë së partisë dhe strategjive të saj dhe fundi që vjen për shkak të çmendurisë dhe frikës së të gjithëpushtetshmëve nga cilido individ, reputacioni i të cilit forcohej me kalimin e viteve. Rikthimi përmes letrares në kohën e komunizmit, duket se për Shehun është një proces çlirimi. "Në njëfarë mënyre mund të jetë çlirim. Në mënyrë të vetëdijshme nuk e vuaj atë kohë, që tashmë është e largët, i përket së kaluarës. Unë vazhdoj jetën time, por përderisa më kthehet herë pas here në mendje, do të thotë diçka", shprehet Shehu. Në referimet për romanin e fundit, duke u shtyrë edhe në krijimtarinë e mëparshme, studiuesit e kanë renditur mes penave që kanë tashmë një autenticitet të padiskutueshëm. "Shumë prej veprave letrare të tij janë përkthyer e botuar edhe në gjuhë të ndryshme të Europës: Francë, Angli, Itali, Serbi, Spanjë, etj., duke u bërë pjesë integrale e vlerave letrare europiane në tërësi", ka theksuar Irena Toçi në cilësinë e botueses së veprave të Shehut.

Në faqet e këtij, romani gjen një drejtor teatri me emrin Farudin që jep shpirt, pa u qetësuar kurrë e pa kuptuar kurrë se çfarë fajesh ka bërë dhe kundër kujt. Një piktor të talentuar, të mbiquajtur Robert, që do të prekë fundin e ekzistencës pa arritur të kuptojë përse edhe pasi ridel në sipërfaqe. Një grua sa të brishtë aq edhe të fuqishme por të pazonjën për t‘i rezistuar tundimit të fundit të kërkuar. Për Shehun krijimtaria është një kërkim i vazhdueshëm. Kështu e justifikon veten kur i duhet të pranojë se një vepër e fundit është më e dashur dhe një pjesë e atyre të shkruara dikur nuk e kënaqin më. Ka në dorë një tjetër roman, për të cilin thotë se do jetë tërësisht i ndryshëm. Gjithsesi "Mozart, me vonesë", për të nuk është një roman shterues për kohën e diktaturës. "Nga pikëpamja letrare periudha e komunizmit duket se është e pafund, ndaj besoj se do të shkruaj sërish në lidhje me të", paralajmëron shkrimtari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›