E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP: Gripi i derrit, periudha e nxehtë dhjetor-janar

Periudha që do të shënojë përhapjen më të madhe të infektimit nga gripi i derrit do të nisë në mesin e muajit dhjetor deri në mes të muajit janar. Kjo do të jetë koha që mendohet të raportohen raste më të shpeshta të të prekurve nga gripi i derrit. Njoftimi ka ardhur nga autoritetet e huaja dhe është konfirmuar edhe nga autoritetet shëndetësore shqiptare, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik. Sipas të dhënave që janë diskutuar mes specialistëve të shëndetësisë, mendohet që në vendin tonë do të preket 30-40 për qind e popullsisë. Nga këto, pjesa më e madhe do të jetë e formave të thjeshta dhe një pjesë e vogël e formave të rënda.

"Nuk mund të bëhen parashikime të sakta, mund të ketë pakësim të rasteve, por mund të ketë edhe shtim të rasteve. Mesatarja që është diskutuar jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vende të tjera, është nga 30 deri në 40 për qind e popullsisë", sqaroi specialisti i Departamentit të Epidemiologjisë, Dritan Ulqinaku.

Sipas tij, autoritetet shëndetësore shqiptare kanë raportuar se mesatarja e rasteve që do të preken nga gripi i derrit do të jetë 30 persona në javë. Në 15 pacientë, dhjetë prej tyre do të jenë të infektuar nga virusi i formës së lehtë dhe pesë të tjerë nga forma më të rënda.

Periudha e nxehtë

Periudha e nxehtë ku do të shënohet edhe numër i lartë i pacientëve të prekur nga AH1N1 do të jetë mesi i muajit dhjetor deri në mesin e muajit janar. Por pavarësisht kësaj, në vendin tonë problemet dhe fluksi i pacientëve të prekur nga viroza e gripit të zakonshëm është muaji nëntor deri në muajin mars.

Gjatë këtyre muajve do të shihet me saktësi nëse do të ketë ndryshime të virusit të derrit AH1N1, nëse influenca do të pësojë mutacione, apo do të ketë një kombinim virozash mes gripit të derrit dhe gripit të zakonshëm.

"Periudha e gripit në vendin tonë nis në muajin nëntor dhe përfundon rreth muajit mars. Masat që kemi marrë para nisjes së vitit shkollor janë shpërndarja e posterave dhe fletëpalosjeve për nxënësit dhe prindërit", sqaroi specialisti i Institutit të Shëndetit Publik, Ulqinaku.

Epidemia

Deri tani analizat e situatës së gripit në vendin tonë, raportojnë se nuk kemi ende një shpërthim epidemie respipratore. Kjo edhe për motin e mirë dhe praninë e vitaminës D. Një nga teoritë e shëndetit publik për infektimin nga gripi i zakonshëm dhe virozat në përgjithësi është nisja e vjeshtës edhe si pasojë e pranisë më të paktën të diellit, nga i cili marrim vitaminën D.

Dy ditë më parë, Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi se numri i të prekurve nga gripi i derrit në vendin tonë është 30 persona. Ndërkohë që një pacient shqiptar, emigranti 25-vjeçar që prej vitesh jetonte në Greqi, ka humbur jetën si pasojë e komplikacioneve nga gripi i derrit. Plot 9 persona të tjerë janë të dyshuar dhe konfirmimi i analizave nga laboratori i referencës për Evropën Juglindore, në Bukuresht do të japë përfundimin nëse janë bartës të AH1N1 apo thjesht kanë kaluar një virozë të zakonshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›