E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë: S’jemi në koalicion me PS, do bëhemi pjesë e PD-së

05-05-2013 / Gazeta 55

KQZ regjistron koalicionet për zgjedhjet e 23 qershorit, PS humbet 3 parti

Koalicionet që do të garojnë në zgjedhjet e 23 qershorit janë zyrtarizuar dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Koalicioni i djathtë Aleanca për Punësim Mirëqenie dhe Integrim do të garoj në zgjedhje me 26 parti nga 27 të paraqitura. Kjo pasi, Partia Civile e Shqipërisë nuk ishte regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor. Ndërsa koalicioni i majtë, Aleanca për Shqipërinë Europiane do të ketë 37 parti në përbërjen e tij, nga 40 parti që u paraqitën fillimisht. Partia e Prosperitetit të Shqipëri dhe Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman nuk ishin regjistruar më parë në KQZ si subjekte zgjedhore. Partia e tretë, ajo e Bashkimi Popullor të Pensionistëve ka kërkuar largimin nga koalicioni i PS, duke argumentuar se nuk kanë pasur asnjë marrëveshje me këtë forcë politike. Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë, depozitoi dje dhe një kërkesën për tu bërë pjesë e koalicionit të Partisë Demokratike. Përfaqësuesi i kësaj force politike në KQZ tha se ata nuk kanë bërë asnjë kërkesë për të qenë pjesë e koalicionit të PS-së si dhe kërkoi që të sqarohet vullneti i saj për të qenë pjesë e koalicionit të djathtë. Vendimi i Partisë Bashkimi Popullor i Pensionistëve lidhet me sigurinë për votat. Siç tha dje përfaqësuesi i kësaj force politike në KQZ, nga kontaktet që kanë pasur me kreun e PS-së, Edi Rama, nuk kanë marrë asnjë garanci votat e tyre. Në këtë mënyrë, PBPSH ka kërkuar që të mos jetë pjesë e koalicionit të majtë, por ti bashkohet aleancës së Partisë Demokratike.
Ndërkohë përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjoncaj u shpreh se Partia e Pensionistëve ka firmosur më parë marrëveshjen me PS. “Opozita nuk e ka problem që PBPPSH nuk do që të jetë pjesë e koalicionit të majtë por drejtuesit e saj kanë firmosur një marrëveshje me PS-në”. Vetë përfaqësuesi i PBPPSH tha se, “ne kemi firmosur një letër bosh të PS”.
Pavarësisht numrit të madh të forcave politike që do të marrin pjesë në zgjedhje, vetëm një numër i vogël i tyre janë forca të sprovuara në elektorat.
Koalicioni i Partisë Demokratike ka në përbërjen tij numrin më të madh të partive që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e kaluara. Ndërsa koalicioni i Partisë Socialiste, shumicën e forcave politike i ka të krijuara gjatë viteve të fundit. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 në garë morën pjesë tre koalicione. Ai i PD-së me 10 parti, i PS me 5 parti dhe koalicioni i LSI me 6 parti.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›