“Me dhunën, opozita demaskoi veten”
Flet Njazi Kosovrasti, kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës: “E paligjshme mbledhja e anëtareve të majtë të këshillit bashkiak”
Kreu i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Njazi Kosovrasti, deklaroi dje se nuk njeh vendimin e anëtarëve të majtë të këtij këshilli për ta shkarkuar nga ky post. Ajo çka ndodhi një ditë më parë nga këshilltarët e PS dhe LSI në Këshillin Bashkiak, është e jashtëligjshme, tha për mediat Kryetari i Këshillit, Njazi Kosovrasti. Sipas tij, Kosovrasti mbledhja e dy ditëve më parë e këtyre anëtarëve ishte vetëm një grumbullim i paligjshëm njerëzish. “Është një akt, veprimtari krejtësisht e paligjshme në të gjitha drejtimet. Shteti ka institucione për zgjidhje, nuk mundet të përfitohet çdo gjë me dhunë. U demaskuan para opinionit publik”, tha Kosovrasti. Sipas tij, këshilltarët, në mënyrë të dhunshme, tentuan të futen në ambientet e bashkisë dhe për këtë do të bëhen paditë përkatëse. “Nuk është fjala për vendim, është deklaratë që këshilltarët kanë firmosur, pra as mbledhje ka pasur, as vendim që të diskutohet, nuk e kuptoj pse e bënë në bashkinë e Tiranës, ta bënin në PS, ta firmosnin e kaq, as mbledhje, as vendim nuk është, ishte një organizim i paligjshëm, thjesht deklarim i vullnetit të tyre”, tha ai.
Edhe Bashkia e Tiranës dënoi dhunën e përdorur nga këshilltarët e majtë ndaj institucionit të Bashkisë dhe bëri të ditur se do të bëjë kallëzim penal ndaj personave përgjegjës. “Të gjitha veprimet dhe deklaratat e disa anëtarëve të Këshillit Bashkiak janë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe janë të motivuara nga fryma e konfliktit politik”, thuhet në deklaratë. Sipas Bashkisë, nuk është zhvilluar asnjë mbledhje zyrtare e Këshillit Bashkiak. Ndërkohë dje këshilltarët e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, pasi kanë hapur me forcë derën e bashkisë, u mblodhën në paradhomën e Këshillit Bashkiak, ku kanë votuar me 31 vota pro shkarkimin e kreut të këshillit bashkiak, përfaqësuesit të Partisë Demokratike, Njazi Kosovrasti. Vendimi për shkarkimin e Kosovrastit dhe zëvendësimin e tij me Alfred Dalipin i është dërguar për verifikim prefektit. Bashkia e Tiranës i bën thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak të distancohen nga veprime të paligjshme dhe të dhunshme ndaj institucionit të Bashkisë dhe siguron Këshillin Bashkiak dhe qytetarët e Tiranës se përgjegjësit e veprimeve antiligjore dhe të dhunshme do të përballen me pasojat ligjore.