E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkimi dhe integrimi

Ishte shkrimi me titull "Evropë apo Azi Perëndimore" i autorit Fatos Tarifa, në gazetën "Shqip" (12 dhe 13 shtator 2008), që ftonte për diskutim këdo, por që më motivoj të prononcohem, në veçanti, edhe me kënaqësinë që ndjen ish-pedagogu kur vëren që ish-studentë të tij afirmohen, dalin shkëlqyeshëm në orbitën e mendimit intelektual të kohës me përmbajtje konstruktive dhe me stil tërheqës. Në atë takim shokësh të profileve të ndryshme, siç është shpalosur shkrimi i mësipërm (me pjesëmarrje të gjeografit, historianit, ekonomistit, politikanit, kulturologut, mjekut e filozofit), ata nuk u morën me barsoleta e intimitete të mikrobotës, por trajtuan temën më madhore e aktuale, madje imperative, plotësonin njëri-tjetrin me ide në debat dhe na japin një vizion më të plotë, sidomos, të vendit dhe rolit që ka luajtur kontinenti tonë në tërë progresin e njerëzimit, të Evropës plakë, e cila nga ish "teatër i luftërave, vendi i masakrave dhe krimeve më të mëdha, i popujve që për shekuj me radhë kanë qenë fyt më fyt me njeri-tjetrin", aty nga mesi i shekullit të 20-të, i thërriti nevojës e mendjes dhe u shfaq me një risi qytetëruese, nisi përpjekjet për institucionalizimin vullnetarisht të një integrimi ekonomik dhe politik të të gjithë shteteve të saj... Bashkimin Evropian - pohuan me një pyetje retorike intelektualët e rinj në debatin e prezantuar në shkrim, - a s‘duhet ta shohim si një eksperiment madhështor, për të ardhmen e mbarë botës".

Bukur. Njerëzimi po synon të sendërtojë ëndrrën shekullore për të jetuar në paqe e harmoni, kjo ide dhe vepër unikale po gjeneron nga Evropa dhe kësaj s`kemi pse të mos i gëzohemi edhe ne shqiptarët, popull nga më të lashtët i kontinentit, por dhe më i viktimizuari në rrjedhën e shekujve!

Nuk ndodha në atë lokal (ku do të përfaqësoja shtresën e tretë), por autori i ka lënë hapësirë çdo "lexuesi ta përfytyrojë veten të pranishëm në atë bisedë", prandaj, po u them djemve: "Më shënoni dhe mua, i vendosni këto konsiderata si vazhdim të atij debati tuaj të këndshëm, se mos plotësojnë ato ndonjë aspekt me ndonjë domethënie e vlerë, qoftë edhe sikur t`ju ngacmojnë për zbritjen e debatit, nga globalizmat e problematikat madhore planetare, në plagët dhe brengat e kombit tonë, për të zbërthyer me argumente e transparencë se ku po shkojmë? A e ka vjetruar koha aspiratën e Bashkimit tonë Kombëtar, apo janë politikat tona dritëshkurtër që e shmangin atë? Përfshirja në Evropë, a do të jetë dhe zgjidhje adekuate e plagëve dhe brengave historike të kombit shqiptar, apo politikat zyrtare aktuale shqiptare e kanë devijuar e deformuar zgjidhjen e kësaj aspirate shekullore? Se po të jetë i saktë mendimi i violinistit që "Evropa... as do të jetë ndonjëherë një shtet i vetëm, apo një union që të funksionojë si i tillë...", atëherë do të ndërhyja për të thënë: "Bijtë e mi, bukur i konceptuat perspektivat botërore dhe evropiane, po për këto fatet historike të kombit tonë dhe perspektivën e tij në këtë valë globalizuese e integruese, mos e keni lënë për ndonjë takim tjetër? Dhe, qëlloj apo nuk qëlloj unë midis jush, më quani të pranishëm me mendimet e më poshtme. Përndryshe, për kafen e radhës jeni të ftuar e të mirëpritur, si grup, në Bar-Restorantin "SHQIP", po buzë Lanës, afër Gjykatës së Faktit, për gjetjen e të cilit ju ndihmon e orienton edhe Flamuri Kombëtar që valëvitet në hyrje! Ja dhe replika ime për shkrimin e mësipërm që m‘i zgjoi mendimet:

Kombit shqiptar, kaq shumë të dhunuar prej makro dhe mikrogjeopolitikave shekullore, i ndodhur sot, nga një anë, para çështjes madhore të integrimit kombëtar dhe, nga ana tjetër, i ballafaquar me valën ndërkombëtare globalizuese, në veçanti, me integrimin evropian, që po i troket në derë, nuk i takon t‘u kundërvihet këtyre proceseve globalizuese e integruese të epokës, por duke i mirëpritur e inkuadruar në to, e ka dhe të drejtën historike të jetë paksa kritik, kërkues dhe vetëveprues për sendërtimin e aspiratës së vetë shekullore për Bashkim Kombëtar. Nuk kemi premisa e tagër ta kundërshtojmë integrimin, por kemi tërë premisat dhe argumentet t‘i japim përparësi integrimit kombëtar, i cili i rrit edhe vlerat e vetë integrimit evropian. Edhe vetë Kontinenti evropian, që është në proces integrimi, pjesë e pa ndarë e të cilit është edhe kombi shqiptar, gjykojmë, e ka obligim moral, historik dhe juridik t‘i shërbejë më parë integrimit kombëtar të shqiptarëve, mandej, të investigojë edhe ato standarde që duhen plotësuar për t‘u bashkuar me të nëpër fijet dhe urat e reja që ofron ky komunitet. Këtu, kuptohet, nuk përjashtohet deri dhe integrimi politik i Kombit shqiptar, sepse, në instancë të fundit, vetë Evropa e Bashkuar është një bashkim Kombesh, dhe, synimi e realizmi në proces i këtij Bashkimi të shqiptarëve, themi se nuk është luks, pretekst, voluntarizëm e pretendim; është vetëm një nevojë e natyrshme e konsolidimit të një familjeje të vogël, që kërkon të bashkohet me identitetin e vet e dinjitet edhe në familjen e madhe evropiane! Të kujdesesh e të përkrahësh konsolidimin e një kombi, që cilësohet si një prej popujve më të vjetër të Evropës, gjuha e gjallë e të cilit, siç po thuhet, përbën një çelës për shpjegimin e kuptimin e antikitetit, në identitetin dhe imazhin e të cilit po admirohet botërisht për triumfin mbi urrejtjet ndërfetare dhe me mësime e mesazhe konstruktive të tolerancës etj., mendojmë se nuk është nacionalizëm i tepruar apo shqiptaromadhëri, as ndonjë folklorizëm e romantizëm nacional demode, por kulturë, demokraci, humanizëm e progres!

Ne, brezi i sotëm, nuk kemi të drejtë të harrojmë se trojet etnike të aneksuara ushtarakisht nga shtetet fqinjë, për gjatë gjithë kufirit tonë tokësor, pushtime të sanksionuara padrejtësisht edhe prej traktateve ndërkombëtare, janë mirëfilli koloni brenda Evropës, dekolonizimin dhe statusin demokratik të të cilave e sanksionojnë edhe Rezolutat përkatëse të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë, vërejmë se si ka marrë dhenë një orientim politik i ndërkombëtarëve, po dhe i vetë politikave zyrtare shqiptare, sipas të cilit aspirata klasike e shqiptarëve në kohët tona moderne e gjen veten të realizuar, vetvetiu, nëpërmjet përfshirjes në BE të 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku gjendet i parcelizuar ky komb, kaq i lashtë, me historinë, traditat dhe vlerat e veta, me një identitet mjaft të spikatur. Mirë ndërkombëtarët që i përmbahen kësaj pikëpamjeje komode për ta, se nuk duan t‘i hapin telashe vetes, po ç‘ne të bien në këto pozita e të ulen këmbëkryq edhe krejt politikat zyrtare shqiptare!? Po a përfaqëson ky lloj integrimi vërtet edhe zgjidhjen optimale të aspiratës së shqiptarëve? Kjo është pyetja që kërkon përgjigjen adekuate, për t‘iu përgjigjur kësaj me transparencë, askush nuk e ka vënë ujin në zjarr!

Po ç‘do të thotë ta fikësh zjarrin e aspiratës për Bashkim Kombëtar dhe a ka argumente për t`u kapur tërësisht e në mënyrë të ethshme vetëm pas objektivave e detyrave për t`u integruar në Bashkimin Evropian?

Politikat zyrtare shqiptare, në këto vitet e tranzicionit, sepse pushuan së qeni pasqyrë dhe tribunë e aspiratës dhe vetëdijes popullore për bashkim kombëtar, nuk e marrin fare në konsideratë as atë mendim intelektual të fuqishëm e atdhetar, që i mëshon problemit të Bashkimit. Midis klasës politike, krejt politikave zyrtare shqiptare, nga njëra anë, dhe shoqërisë civile, ndërgjegjes popullore, nga ana tjetër, është krijuar një hendek i pakapërcyeshëm, një divergim i plotë, pa asnjë urë apo fije lidhjeje! Prej Presidentit deri tek Kryeministri i Shqipërisë, çka tingëllon tepër paradoksale, është deklaruar publikisht se: "Nuk na duhet Shqipëria e Madhe, dëshirojmë Evropën e Madhe... Urojmë të fshihen sa më shpejt nga mendja e shqiptarëve shfaqjet e shëmtuara antiglobaliste, streha e fundit e marksizëm-leninizmit" etj. Për më keq akoma, mësojmë nga shtypi se Kryeministri ynë, pas kthimit nga Kina olimpike, në gusht 2008, na zbardhi detajet e takimit që kish bërë me homologun serb, Cvetkovic, që përmblidhen në idenë: "Kosova, jo problem i Shqipërisë; nuk kam lejuar që çështja e Kosovës të bëhet problem midis nesh dhe serbëve" (!?) Ja, këtë vjeshtë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në vend që të promovonte ndonjë anëtarësim të shtetit të ri të Kosovës në OKB, do t`i duhet të merret me një rezolutë serbe, e cila vë në diskutim pavarësinë e shpallur dhe kërkon bazë juridike për anulimin e saj! Dëshiroj të theksoj se as ndaj Kosovës, as ndaj perspektivës së krejt kombit, nuk duhet të mbetemi thjesht spektatorë të fateve të tyre!

Po problemin e shtrojmë jo për t‘i konceptuar bashkimin kombëtar dhe integrimin tonë evropian si dy procese që e përjashtojnë dhe e pengojnë njëri-tjetrin, por si dy dukuri të harmonizuara që do t`i shërbejnë njëra-tjetrës.

Që shtetet ekzistuese po mbeten njësia bazë, tepër funksionale në strukturën e Evropës së Bashkuar, këtë e dëshmon qartë realiteti i sotëm. Por, ky realitet dëshmon edhe faktin e hidhur se shtetet që janë përfshirë prej vitesh në këtë Bashkim, as nuk e kanë vënë fare ujin në zjarr për zgjidhjen demokratike të të drejtave të pakicave kombëtare. Që nuk do të ndodh ndonjë ndryshim cilësor në fatet dhe statusin e kombit shqiptar me variantin e hyrjes së tij në BE ashtu, psesë-pjesë, secila në përbërjen e shteteve fqinjë, ku sundohet dhe trajtohet pa të drejtat njerëzore e kombëtare - këtë e dëshmon fare mirë një nga segmentet e çështjes shqiptare në Ballkanin Perëndimor - problemi i Çamërisë nën Greqinë fqinje, e cila ka dekada që është efektive në BE, por këtë çështje gati e injoron, e quan inekzistente. Politika greke i mëshon idesë së homogjenitetit etnik në shtetin e vet, nuk do t‘ia dijë për etnitetet e pakicat e tjera kombëtare, për atë kolorit dhe imazh të vërtetë demokratik që mund të prezantonte, vazhdon të mbajë gjallë pretendime e lakmi të tjera, krijon dhe incidente e precedentë dhe Brukseli bën sehir!

Me orekse deri në lakmi shoveno-koloniale vazhdon të jetojë edhe Beogradi zyrtar, i cili, dhe BE-në e synon, edhe Kosovën s`e heq dot nga shpirti! Po pse? Për ca kisha e manastire, pa e përfillur fare idenë brilante të E. Kisinger-it se "kërkesat fetare nuk janë gjë tjetër veçse pretekste për qëllime politike e strategjike" ("Diplomati", f. 93)

Shkurt, kolegë të nderuar, që jeni dhe efektivë dhe në efeciencë, dëshiroj të theksoj mendimin se "Çështja shqiptare" në Ballkanin Perëndimor duhet zgjidhur rrënjësisht, parimisht, paqësisht, demokratikisht, sipas parimit të madh ulsonian të së drejtës së popujve për vetëvendosje, duke i dhënë fund mbajtjes së trojeve shqiptare si posedime koloniale, gurë shahu, monedhë tregu, mollë sherri, rrufepritëse, "fuçi baroti" e "Kuti Pandore"! Dhe, Republika e Shqipërisë, trungu, baza e "Çështjes Shqiptare", "Piemonti i saj", siguria, garancia, prapavija dhe shpresa e zgjidhjes së saj, është ajo që ka dhe obligimin e shenjtë të mbajë gjallë aspiratën e synimin shekullor të të gjithë shqiptarëve për të jetuar bashkë, të kujdeset për fatet e statusin e tyre kudo që jetojnë, në Ballkanin Perëndimor apo nëpër botë! Se, flet shumë edhe Kadareja ynë me shprehjen: "Shqipëria duhej të bënte më shumë për Kosovën"! Në shpirtin e madh të gurrës popullore kumbon i gjallë, fuqishëm mesazhi mbarëshqiptar: "Ngrihuni në këmbë, kombi me miliona, vetë do të vendosim ne për fatet tona. Ku jemi shqiptarë e jetojmë mbi dhe, Bashkimi Kombëtar është detyrë për ne!".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›