E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfidat e politikes se jashtme qe nuk e presin Kosoven

1.

Kosova, tetë muaj pas shpalljes së pavarësisë, ende nuk ka një dokument të politikës së vet të jashtme, një dokument të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, ku do të përcaktoheshin synimet e vendit në këtë fushë. Në vend të dokumentit, kemi një inercion të politikës së jashtme të krijuar në kushtet krejtësisht të tjera, menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit, një politikë që në vija të trasha ishte grishja e Perëndimit që të ndihmojnë që Kosova të çlirohet.

Mungesa e një politike të jashtme të institucionalizuar do të thotë se kjo fushë i është lënë interpretimit ad-hoc të bartësve të funksioneve institucionale. Dhe, ky interpretim, të cilit i duhet atribuuar mungesa e dukshme të përvojës, ka krijuar deklarime kundërthënëse, bile nga i njëjti burim institucional. Në tetë muajt e pavarësisë së vendit, kemi mundur të dëgjojmë vlerësime nga më të ndryshmet për atë se çka është politika e jashtme kosovare.

Na është thënë se pavarësinë e Kosovës do ta njohin menjëherë 100 shtete për të deklaruar ca më vonë se Kosova është njohur nga shtetet kualitative, nuk ka dert që nuk e kanë njohur 100 shtete.

Na është thënë se nuk kemi nevojë për lobim për njohje, ngase këtë për ne e bëjnë miqtë tonë (duke nënkuptuar shërbimet gratis të kancelarive Perëndimore), për të na u thënë, pastaj, se ndoshta do menduar edhe për ndarje fondesh për lobim të vetë kosovarëve.

Na është thënë se kemi nevojë për arabët e pastaj është thënë se nuk kemi nevojë për arabët, ngase duam marrëdhënie me Izraelin.

Na është thënë se iniciativa e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nuk është serioze, për të shtuar më vonë se kjo përpjekje është serioze, madje ka edhe gjasa suksesi, por Serbia është vend kriminel.

Na është thënë se Kosova do të jetë vend anëtar i Bashkimit Evropian brenda 3 vjetësh, për të konstatuar jo shumë larg më vonë se Kosova ka nevojë që tani të fillojë procesin e vet integrues brenda BE-së nga e para.

Një rrugëtim i tillë i shkurtër i politikës së jashtme kosovare mund të krijojë anekdota, por jo edhe diç më shumë produktive. Për të ndërtuar një politikë të jashtme të qëndrueshme, nevojitet marrëveshje brenda shoqërisë për atë se çka janë prioritetet bazike të shtetit, prej një perspektive afatshkurtër e deri tek ajo afatgjatë, dhe këto prioritete do ndeshur me tablonë e realitetit të sotëm të vendit.

E, për t‘i bërë të gjitha këto, nevojitet dialog i brendshëm në shoqëri, në mes të partive politike, në shoqëri civile, në institucionet shtetërore.

2.

Synimi i vendit, i ndërtuar që me rënien e Murit të Berlinit, në periudhën e ndërtimit të Alternativës kosovare më 1989-1990, i përsëritur në formë konsensusi nga pothuajse të gjithë aktorët politikë, me e pa thellim në kuptimin e formulimit, është se ardhmëria e Kosovës është në anëtarësimin e vet në NATO dhe Bashkim Evropian.

Ky, pa dyshim, është një synim që përfshin jo vetëm politikën e jashtme, por në masë të madhe ka të bëjë me të gjitha segmentet e politikës së brendshme, pra prej politikave arsimore e deri tek ato të sigurisë. Sepse, shikuar nga ky kënd, për anëtarësimin në BE, më me rëndësi është sundimi i ligjit në Kosovë, apo funksionimi i një sistemi të tërësishëm shëndetësor, sesa një fushatë reklamash "Kosova e do BE-në" që do paguhej nga Ministria e Jashtme.

Por, ky synim konsensual i vendit ka nevojë, megjithatë, të përkthehet në politikën e jashtme, duke e vënë ballë për ballë me realitetin.

Nga njëra anë, Kosova proklamon, me të drejtë, se hapat e saj të ardhshëm janë drejt integrimit në NATO dhe BE.

Nga ana tjetër, këtij synimi do ballafaquar disa konstatime kritike të vendit. Së pari, Kosova është shtet i "papërfunduar", në tri segmente kyçe të ekzistencës. Tërësia e tij tokësore është e rrezikuar që nga dita e parë e pavarësisë, me ndarjen ‘de facto‘ të një pjesë të territorit të shtetit; pavarësia e vendit është e kontestuar dhe ende nuk ka krijuar legjitimitet të plotë ndërkombëtar dhe formula e "pavarësisë së mbikëqyrur" ende nuk ka hyrë në funksion, dhe ekziston pikëpyetja rreth funksionalitetit të kësaj formule.

Së dyti, Kosova është në një konkurrencë regjionale/evropiane në vendin e fundit të listës, ngase është vendi më i varfër në regjion dhe ka papunësinë më të madhe; kjo varfëri dhe papunësi është strukturore; vendi ka pasur krizën më të gjatë politike, ekonomike dhe të sigurisë; ka institucionet më të dobëta shtetërore; është ende larg fundit të tranzicionit ekonomik; nuk ka përparësi relative gjeografike apo infrastrukturore; ka shkallën më të ulët arsimore/shëndetësore/sociale (investimin më të ulët në kapital njerëzor) në regjion.

Së treti, vendi ka avantazh të dukshëm investimi të demokracive të fuqishme të botës, SHBA dhe BE, e më 1999 edhe të një solidariteti të shumë vendeve të botës, por ky avantazh, për dallim prej regjionit dhe prej vendeve të suksesshme të tranzicionit, është investim në stabilizim (investim politik/ushtarak), e në mospërputhje të plotë me investimin ekonomik gjithandej.

Me një fjali të zgjeruar e shikuar nga perspektiva e hartimit të një politike të jashtme, atëbotë, Kosova është vend strukturalisht i varfër me shtetësi e pavarësi ende të parrumbullakësuar, i dalë nga një krizë e gjatë politike, ekonomike e të sigurisë, që synon të përmbush identitetin e vet euroatlantik, duke qenë shtet anëtar i NATO-s dhe BE-së, e i ndihmuar deri më sot në këto synime nga SHBA-të dhe BE.

3.

Nëse ky është realiteti i ndeshur, atëherë politika e jashtme kosovare ballafaqohet me tri shtylla sfidash thelbësore.

Shtylla e parë është "përfundimi" i shtetësisë, d.m.th., funksionimi i Kosovës me institucione të vetat në tërë territorin e vendit; legjitimiteti i plotë ndërkombëtar i vendit, duke përfshirë edhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare; funksionaliteti i partneritetin në modelin e "pavarësisë së mbikëqyrur".

Shtylla e dytë do të duhej të ishte zënia e hapit zhvillimor, d.m.th., tejkalimi i ngecjes së përgjithshme zhvillimore të trashëguar (krijimi i shoqërisë e institucioneve që kanë korrespondencë bazike me Evropën e Bashkuar.

E treta, është dalja nga modeli i deritanishëm "stabilizues" i investimit të deritanishëm euro-amerikan në një model "transformues" të vendit, në përgatitjen e tij për anëtarësim në NATO e BE.

Debati rreth këtyre shtyllave do të nxirrte një listë të gjatë veprimesh në politikë të jashtme, e nga kjo listë e gjatë po përmend vetëm tri, që do të dalin urgjentisht në sipërfaqe pas votimit të kësaj jave në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së lidhur me Rezolutën e Serbisë.

Ajo që do të vinte me siguri dikund në krye do të ishte vënia e tërësisë tokësore të Kosovës si prioritet i politikës së jashtme. Përtej deklarimit bosh për tërësi, politika e jashtme e Kosovës, e ndihmuar fuqimisht prej sponsorëve perëndimorë të pavarësisë, do të duhej që çështjen e tërësisë funksionale të Kosovës ta integrojë në atë që do të jetë oferta e BE-së për integrim të regjionit të Ballkanit perëndimor. E, kjo do të thotë që, çfarëdo oferte e ardhshme integruese për Serbinë të ketë kushtëzimin e funksionimit të tërësishëm të institucioneve të Kosovës e të Bashkësisë Ndërkombëtare në Kosovë.

Pastaj, e me urgjencë, do të duhej ndërtuar një qasje në politikën e jashtme, e cila, me "rrethin e miqve" të Kosovës jashtë bashkësisë euroatlantike, i sheh këto shtete si bashkëndërtues të identitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Dhe, së treti, vënia e bazave evropiane për procesin e bisedimeve për vendosjen e marrëdhënieve normale, të fqinjësisë së mirë, mes Kosovës e Serbisë. Kosova e Serbia mund ta pengojnë njëra-tjetrën në përshpejtimin e rrugës për në BE (Serbia, edhe më shumë, mund të pengojë funksionimin shtetëror të Kosovës), por këto dy vende, duke e ndryshuar paradigmën, mund ta ndihmojnë njëra-tjetrën në një proces, i cili nuk fillon, por domosdoshmërisht përfundon me njohjen e ndërsjellë si fqinj të mirë.

4.

Tri shtyllat e sfidave do të ishin tejet ambicioze edhe për një shtet më të fortë ekonomikisht dhe politikisht se Kosova. Të merresh njëkohësisht me anëtarësim në organizata ndërkombëtare, sigurimin e njohjeve të pavarësisë nga shtete të ndryshme aziatike e afrikane, krijim kushtesh për linja kreditore dhe hapje të negociatave për Stabilizim-Asociim kërkon shumë më tepër se ç‘ka treguar Kosova deri më tani.

Dhe, sfidat nuk do të presin kohë më të mira.

Për shembull, me çfarë shpejtësie do të shkojë Kosova në procesin e vet integrues evropian përcaktohet këto ditë. A do të mbetet Kosova me formulime speciale, të ndërtuara nergut për të, siç ishte "mekanizmi përcjellës", apo do të ketë procesin normal të negociatave në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, si dhe shtetet tjera - nga përgjigjja në këtë pyetje, e kjo përgjigje mund të vijë shumë shpejtë do të varet edhe se çfarë është shpejtësia e perspektivës evropiane të Kosovës?

Kur kësaj t‘i shtohet edhe pozita e Serbisë, e cila pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të fillojë me prioritetet e veta të politikës së jashtme (arrestimi apo vrasja e Mlladiçit, si eliminim i pengesës për udhëtim pa viza dhe fitore të statusit të kandidatit për anëtar në BE), atëherë politika e jashtme kosovare duhet të japë përgjigje të shpejta dhe jo vetëm në parime fundamentale të "orientimit të vendit nga Perëndimi". Në vend të këtij formulimi të porsazbuluar për një pjesë të elitës politike, por të vendosur në vend që nga viti 1989-‘90, ndoshta politikës së jashtme kosovare do t‘i ndihmonte një formulim tjetër, i cili do të thoshte se "është interes i Kosovës që Serbia të fitojë statusin e kandidatit, duke zhvilluar njëkohësisht Kosova negociatat për MSA".

Në fakt, sfidat jo vetëm që nuk presin, por ka kohë që trokasin në derë. Çfarë do të jetë politika e jashtme në "pavarësinë e mbikëqyrur", nuk ka nevojë të pritet të shpjegohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Mjafton të shikohet në vend, te "portat" 1 dhe 31, gjegjësisht kufijtë veriorë të vendit. Mungesa e policëve kufitarë dhe pikave doganorë është indikator i cilësisë edhe të politikës së jashtme të vendit.

Por, këto sfida, sado urgjente të jenë, nuk janë as për një koalicion qeverisës, e as për një mandat. Në kushte të polarizimit të natyrshëm demokratik, këto sfida janë pothuajse të parealizueshme nëse nuk shndërrohen në konsensus parlamentar, që do të mbeten si politikë e jashtme e vendit pa marrë parasysh se kush fiton në zgjedhje.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›