Bashkimi kombëtar i shqiptarëve i frikëson mediat serbe

Prej ditësh disa medie serbe dhe së fundi Radio Televizioni Serb (RTS) po flasin gjerë e gjatë për rrezikun nga bashkimi i shqiptarëve, por veçanërisht për mënyrën se si do të bëhet. Serbët vënë në pikëpyetje deklaratat e kryeministrit Sali Berisha, sipas të cilave, bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë me përfshirjen e tyre në Bashkimin Evropian.
Në artikullin me titull “Rreziku i Bashkimit Shqiptar”, publikuar në faqen e vet zyrtare, RTS, pasi nënvizon qëndrimin e zyrtarëve të lartë shqiptarë sipas të cilëve, bashkimi kombëtar do të ndodhë nën flamurin e BE-së, shtron pyetjen: çfarë ndodh nëse përfshirja në Bashkimin Evropian nuk realizohet? “Çfarë do të ndodhë, nëse Ballkani Perëndimor nuk përfshihet në Bashkimin Evropian”, thotë RTS, transmeton Shekulli online.
Pikënisje e reagimeve serbe ndaj rrezikut të bashkimit shqiptar është një artikull, i publikuar nga autori, Andrej Ivanji në të përditshmen gjermane “Tageszeitung”. Në artikullin në fjalë shkruhej se, kur kryeministri shqiptar, Berisha, iu drejtua bashkëpatriotëve të tij me fjalët “nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë”, me rastin e Ditës së Flamurit Shqiptar, pjesëtarët e këtij kombi u lumturuan. “Në Athinë, Shkup e Beograd, atmosfera qe e ndryshme. Motoja e zyrtarëve shqiptarë: ‘së bashku nën Bashkimin Evropian’. Po çfarë ndodh nëse ky bashkim nuk realizohet”, shkruante Ivanji në artikull, i cili të nesërmen u pasqyrua edhe në valët e “Deutsche Ëelle” në gjuhën serbe. Por si do të reagojnë shqiptarët, nëse Ballkani Perëndimor nuk përfshihet në Bashkimin Evropian, shtron pyetjen Radio Televizioni Serb.
“Mundësia që shqiptarët të bashkohen në rrugë paqësore është mjaft e madhe – gjithnjë nëse integrimi evropian është pas dere”, shkruhet më tej në faqen zyrtare të RTS. Paqja në Ballkan mbetet ende një garë kundër kohës, vëren më tej RTS. Nën presione të forta prej problemeve ekonomike e sociale, plagët nuk shërohen, askush nuk ka ndërmend të bëjë paqe me të shkuarën. Në vendet ballkanike, ku jetojnë shqiptarët, norma e papunësisë është mes 30 dhe 50 për qind dhe në përkeqësim. Shqiptarët kanë popullsinë me moshë më të re në Evropë dhe të rinjtë janë të paduruar. Nga të gjitha anët janë shfaqur grupimet ekstremiste, të cilat në varfërinë në rritje kanë nuhatur shansin për sukses./Indeksonline/