E Shtunë, 31 Tetor 2026

Davutolgu reagon kundër Greqisë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka reaguar për veprimet e Greqisë mbi kërkimin e naftës në Detin Egje. Ai i ka kërkuar homologut të tij Dhimitris Avramopullos që të shmangë të tillë hapa.

“Ne po e ndjekim këtë çështje. Hapat e njëanshme në një periudhë të tillë kritike duhen evituar. Turqia dhe Greqia prej një kohë të gjatë po zhvillojnë negociata”, tha Davutoglu.

Ministri turk ka nënvizuar se për të ruajtur atmosferën pozitive që mbizotëron në marrëdhëniet e dy vendeve "çdo hap duhet hedhur pas konsultimeve mes shteteve”, në të kundër do të ketë masa reciproke. “Sigurisht që edhe Turqia mund të hedhë hapat e saj por shpresoj që kjo të mos jetë e nevojshme”, është shprehur Davutoglu.

Mediet greke së fundmi kanë raportuar se Greqia do të dërgojë në mënyrë të njëanshme kufijtë e saj detar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Greqia duket se do të bëjë një veprim të tillë nisur nga rezultatet pozitive të kërkimeve për naftë në det. Por ajo ka ende të pazgjidhur çështjen e kufirit detar me Turqinë, Libinë dhe Shqipërinë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›