E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkimi real

Genc Llakaj

Në gjeopolitikën botërore, pas 44-vjeçarit midis të fortëve të së ftohtës, u përfshinë edhe shqiptarët. Në ndryshim nga ata të lindjes, shqiptarët, u futën ngutshëm në rrugën e tranzicionit. Por, me një elitë politike të lidhur fiziologjikisht dhe shpirtërisht me sistemin e së shkuarës, e cila nuk arriti të dalë nga konturet e një edukate totalitare. E mbërthyer nga emocione ballkanase dhe nga mungesa e vetëdijes kombëtare, kjo elitë, u zhyt në babëzi e shkatërrim. Derivate të politikës së saj të gabuar janë licenca që ju servir Janullatos-it në 1992-n, ndihma që iu dha makinës fashiste të Milosheviçit në 95-n, masakra e 96-97-s, puç/sabotimi i Farkut ndaj UÇK-së në 98-n, instalimi i varrezave greke në 2006-n, dhurimi i ujërave Greqisë (mbetur në tentativë ) 2009-n e, së fundmi, regjistrimi i popullsisë mbi baza etno-fetare në 2011-n.

Kjo politikëbërje nuk është as amatorizëm e as rastësi. Atëherë, pse shqiptarët e politikës duhet të sillen dhunshëm me vetveten kur edhe vetë Bashkimi Evropian, që aspirojnë, është i sanksionuar, juridikisht dhe moralisht, mbi bazën e koloriteve kombëtare të secilit popull? Mbi bazën e mendim-veprimit të së drejtës së tyre si veç e veç dhe në harmoni me popujt e tjerë? Mbi bazën e barazisë e bashkëjetesës si të veçantë e jo si gjysmë të tillë? Pra, ky kontrast midis ekzistencës së një kombi të pjesëtuar, de jure, në 6-shtë, e të mbivendosur artificialisht në pozita kontradiktore me vetveten me konceptin e kombit, për më tepër, i përfaqësuar nga një politikë jo kombëtare dhe juridiksionit Evropian të Kombeve të Bashkuara, është një arsye shumë e fortë që tregon injorimin dhe shitjen nga politika shqiptare të interesave të popullit të vet.

Nga ana tjetër, edhe vetë procesi i integrimit evropian kundërshton vetveten në raport me shqiptarët, sepse BE-ja e sanksionon identitetin e saj nga bashkimi i komb-shteteve dhe jo i gjysmë shteteve, popujve apo tribuve. Në këto kushte gjendemi përball dy realiteteve: shqiptarët, si popull-komb, që aspirojnë të konsolidojnë identitetin e tyre, por që nuk gëzojnë një komb-shtet (falë keqqeverisjes), nga ana tjetër, BE që dëshiron moralisht dhe shpirtërisht të ndihmojë shqiptarët të integrohen në Të, por që hesht sepse, ata, nuk përmbushin një nga kushtet esenciale që ajo kërkon. Shqiptarët nuk janë, de jure, komb. A nuk është ky raport, midis shqiptarëve dhe Evropës, një paradoks ?! Është! Duke qenë se është çështje kontradiktoriteti palësh lipset, nga shqiptarët e politikës, një sjellje e të menduarit dhe vepruarit më cilësore, e pakta, e tipit hebre, ku fryma intelektuale, financiare, kritika dhe autokritika politike, vizioni dhe mendim-veprimi largpamës në shërbim të kombit, të jenë modus-vivendi i përditshëm për ta. Madje, kjo edukatë politike të shndërrohet në pikë referimi për strukturat ligjvënëse shtetare, të kujtdo shteti a kahu politik shqiptar në Ballkan, duke vlerësuar denjësisht interesat kombëtare.

E aq më tepër kur edhe E Drejta Ndërkombëtare në tërësi, të drejtat e kombeve, popujve dhe ato të njeriut, si pjesë integrale të saj, të sanksionuara në Rezolutat e njëpasnjëshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara si; rez. 637 e vetëvendosjes së popujve dhe kombeve (1952), rez. 1514 e të drejtës së integrimit etnik të një populli (1960), rez. 1815 e detyrimit të çdo politike aktive nga parimet e së Drejtës Ndërkombëtare (1963), rez. 2105 e cila rikonfirmon shkolonizimin (1965) dhe rez. 2625, e cila sanksionon të drejtën e popujve për krijimin dhe bashkimin e shtetit të tyre sovran e të lirë me një shtet tjetër (1970), të mbështetura edhe në Nenin nr. 5 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (21 tetor, 1998), janë në favor të Bashkimit Kombëtar Shqiptar. Madje, aq sa të qarta po aq të detyrueshme saqë mospërfillja (nga politika e Tiranës apo Prishtinës) e këtij juridiksioni përbën jo vetëm dhunim të të drejtave të njeriut, por dhe tradhti ndaj aspiratës së një kombi. Ribashkimi politiko-institucional i shqiptarëve, aktualisht, atyre pa shtet dhe atyre me shtet të vetin, në një Komb-Shtet, Union apo Bashkim Shtetesh, është produkt imperativ i një ekuacioni të drejtë juridik, fiziologjiko-njerëzor, historik, të prekshëm dhe bashkëjetese që nuk duhet të injorohet as nga politikan të veçantë, as nga faktor, të dyshimtë, të jashtëm e as nga faktor, të dyshimtë, të brendshëm.

Madje, nga ana tjetër, Ribashkimi Kombëtar i Shqiptarëve është një obligim kontraktor i brendshëm, institucional, kushtetues (Kushtetuta e R.Sh,fq.3; neni 8,fq.5), moral dhe shpirtëror midis shtetit të së drejtës dhe qytetarëve të vet. Këta të fundit, aspirojnë natyrshëm këtë të drejtë, qoftë dhe si derivat i precedentëve të kahershëm a recent historiko-juridik, por dhe si obligim ndaj së Drejtës Ndërkombëtare, parimit themelore të saj, vetëvendosjes. Nëse do ti referoheshim të Drejtës Ndërkombëtare, ajo, përpos referendumit popullor, na lejon edhe një hap tjetër, paraprak, drejt Bashkimit Kombëtar, Bashkimin Real. Bashkimi Real, thotë e drejta ndërkombëtare, mund të bëhet realitet nga një marrëveshje midis dy shteteve. Në rastin tonë, midis Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.

Kjo marrëveshje, nuk cenon interesat e popujve konfinant, të D. Ndërkombëtare jo e jo dhe juridikisht është e mundshme. Ky koncept juridik ndërkombëtar konsiston, në ekzistencën e dy shteteve brenda vetvetes, por edhe në mundësinë e një politike të jashtme të unifikuar. Politikë kjo, e domosdoshme përballë ultranacionalizmit serbe, atij të shkëmbimit të territoreve dhe atij grek të megalidesë. Bashkimi Real, nuk nënkupton një shtet të vetëm, por një aleancë midis dy apo më shumë shteteve. Çdo shtet pjesë e tij ruan autonominë e vet, territorin e vet, qeverinë e vet dhe parlamentin e vet (lexo te Drejtën Ndërkombëtare). Pra, edhe vet Pakoja e Ahtissari-t nuk do të mundej ta parandalonte këtë lloj bashkimi a aleance që, për fat të keq të kësaj pakoje, nuk prodhon unifikim territorial midis dy shteteve shqiptare, por institucional-politik të pjesshëm. Si rrjedhojë, subjekt, në marrëdhëniet ndërkombëtare, është Bashkimi dhe jo shtetet veç e veç, përfaqësitë diplomatike në shtetet e tjera janë të përbashkëta, në rast lufte, lufta ndaj njërit shtet të Bashkimit është luftë ndaj bashkimit, marrëveshjet ndërkombëtare përfundohen nën autoritetin e Bashkimit edhe pse ato mund te jenë parashkruar nga njëri prej dy shteteve përbërëse. Bashkimi Real mundëson Ministri të Mbrojtjes të përbashkët, Ministri të Financave të përbashkët dhe Ministri të Punëve të Jashtme të përbashkët. Precedent tëBashkimit Real kemi Austro-Hungarinë(1867-1918), Suedi-Norvegji (1815-1905) dhe Danimark-Island (1918-1944). Atëherë, meqë politikat zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës kanë tmerr nga Bashkimi Kombëtar, po nga Bashkimi Real, pse duhet të kenë frikë kur atë e lejon dhe vet e Drejta Ndërkombëtare ?!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›