E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bashkitë dhe komunat do të garantojnë furnizimin me ujë 24 orë”

13-04-2012 / Gazeta 55

Qeveria, shtim të investimeve në ujësjellës

Kreu i qeverisë u ndal dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në çështjen e furnizimit me ujë të popullatës. Duke e vlerësuar atë, një çështje me rëndësi themelore, kryeministri bëri të ditur se investimet në këtë drejtim do të shtohen, nëpërmjet zbatimit të projekteve të ndryshme në shumë qytete të vendit dhe se ato do të ecin paralelisht edhe me investimet në kanalizime dhe trajtimin e ujërave të zeza.
“Në këto projekte përfshihet Lezha dhe Shëngjini, Berati, Fieri, Kamza Kuçova, Lushnja dhe Saranda,  Korça në fazat përfundimtare dhe është një shumë, në total, prej rreth 50 milion euro. Këto projekte janë jo vetëm në furnizimin  me ujë por edhe në kanalizime. Këto të dytat, gradualisht dalin të parat për shkak se duke përparësuar furnizimin me ujë si  një domosdoshmëri jetike nuk mund të them se është investuar në të njëjtën shkallë dhe për kanalizimet”, tha kryeministri.
Në këtë kontekst, Berisha përmendi se në krye të marrëveshjeve që kanë të bëjnë me financimin e furnizimit me ujë, për nga rëndësia qëndron marrëveshja me Bankën Gjermane te Zhvillimit që është dhe financuesi kryesor i projekteve të furnizimit me ujë të vendit.
Por, gjithashtu, kryeministri renditi edhe kontributet qeverisë zvicerane dhe të fondeve të Komisionit Evropian. Duke theksuar faktin se sot 98 për qind e qytetarëve shqiptarë furnizohen me ujë rubineti, Kryeministri vlerësoi se po gjithnjë e me i madh behet numri i bashkive dhe njësive te qeverisjes vendore që garantojnë ujë 24 orë.
Për sa i përket kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të zeza, kryeministri evidentoi se dy vitet  e fundit janë ndërtuar 14 vepra madhore në të gjithë zonën bregdetare, duke shtuar këtu edhe projektin për veprën më të fundit atë të impiantit përpunimit të ujërave të zeza për Tiranën, investim prej rreth 90 milion euro.
Kryeministri tha se ndërtimi i tyre është një kusht jetik për të ulur ndotjen e ujërave ne tërësi, e cila ka ndikimin e vet në shëndetin  e njeriut.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›