E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kuvendi i qëndroi rregullores, çaktivizoi tentativën për bllokim”

13-04-2012 / Gazeta 55

Astrit Patozi, Kryetari i grupit parlamentar të PD-së
 
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi paraqiti në mënyrë kronologjike atë çfarë ndodhi në seancën e djeshme të Kuvendit të Shqipërisë. Patozi iu kundërpërgjigj akuzave të Gramoz Ruçit i cili pretendon se mazhoranca ka shkelur procedurat parlamentare, duke theksuar se “janë ndjekur të njëjtat procedura si në 22 vitet e fundit në kuvend”.
Sipas demokratit Patozi, socialistët vijojnë të kenë frikë nga firmat e komisionerëve të tyre, ndërsa Edi Rama nuk i beson as deputetëve të tij. Patozi tha se Kuvendi i qëndroi strikt rregullores për një procedurë rutinë, ndërsa theksoi se u ç’aktivizua në mënyrë shembullore përpjekja e qartë për të bllokuar.
“Paraprakisht kam rënë dakord me Gramoz Ruçin për kohën dhe votimin, pasi e kam pyetur se cila ishte dëshira e tij. Së pari se nuk kisha asnjë shqetësim për solidaritetin e mazhorancës. Së dyti nuk më takon të futem në paranojat e kryetarit të PS-së”, u shpreh Patozi.
Situata sipas tij nisi të komplikohej kur kryetari komunikoi nisjen e procesit të votimit, ndërsa e quajti jashtëtokësore përpjekjen për të mos firmosur fletën, por për ta vulosur. Patozi thotë se pak minuta më vonë të njëjtin shqetësim e shprehu edhe Gramoz Ruçi, i cili përveç frikës nga firma ka shprehur edhe variantin e dytë atë të firmosjes paraprake të fletëve të votimit, ndërsa i është përgjigjur pretendimit të tyre se
“Nuk po zgjedhim Papën e Romës, por njërin nga anëtarët e KLD-së dhe nuk kemi pse të shpikim procedura të reja. Në të njëjtën mënyrë ky parlament ka zgjedhur mjaft presidentë dhe anëtarë KLD-je dhe me kaq është mbyllur komunikimi. Rreth dy minuta më vonë kam parë homologun duke mbajtur kryeministrin për të mos e lejuar të votonte, më pas rrëmbeu fletët e votimit duke e bërë procesin e votimit praktikisht të pamundur”, theksoi kreu i grupit parlamentar demokrat.
Në këto kushte, tha Patozi, Kuvendi procedoi me alternativën e dytë, sipas rregullores atë të votimit elektronik dhe që bëri nul përpjekjen e PS-së.
Ai i kujtoi homologut të tij se parlamenti nuk është kazino dhe as sallë kumari ku luajnë me letra për t’ia hedhur njëri tjetrit, por është institucioni i parë i vendit, ku prevalon ligji rregullat dhe mirëbesimi.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›