Bashkitë e tre vendeve marrëveshje për ruajtjen e peizazhit dhe ujërat e Liqenit të Prespës

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/ Ruajtja e peizazhit dhe ujërat e Liqenit të Prespës është në qendër të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar ditët e fundit nga bashkitë e Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, që lagen nga ky liqen.
Sipas kësaj marrëveshje bashkitë duhet të ndërmarrin veprime të përbashkëta dhe të koordinuara me njëra-tjetrën për çështje të caktuara, si dhe të angazhohen për të plotësuar detyrimet që vite më parë kanë vendosur bashkë qeveritë përkatëse.
Për palën shqiptare marrëveshja u firmos nga kryetari i bashkisë Devoll, Eduard Duro dhe kryetari i bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski.
Ceremonia e nënshkrimit të këtij memorandumi u mbështet nga pjesëmarrja e Ambasadorit të Bashkimit Europian për Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, menaxherit të UNDP në Greqi dhe të institucioneve të qeverisjes qendrore dhe vendore të Greqisë.
Ky Memorandum bazohet mbi themelet e vendosura nga “Protokolli i Bashkëpunimit të Kryetarëve të Bashkive 2022” dhe është nënshkruar nga Bashkitë Pustec, Prespë, Resnjë dhe Devoll. Memorandumi synon të forcojë përpjekjet e përbashkëta drejt zhvillimit të qëndrueshëm, ruajtjes së mjedisit dhe trashëgimisë kulturore brenda Basenit të Prespës. Në këtë kuadër, palët kanë rënë dakord për krijimin e një Grupi Evropian të Bashkëpunimit Territorial (EGTC), si një mekanizëm që do të mundësojë një bashkëpunim të thelluar dhe të koordinuar ndërmjet komunitetesh dhe institucioneve përgjegjëse. Ky angazhim kolektiv ka si qëllim të rrisë kapacitetet për menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore dhe për të promovuar një zhvillim të qëndrueshëm në rajonin e Liqeneve të Prespës, i cili është një pasuri natyrore dhe kulturore e veçantë.Kryetarët e katër bashkive ndërmorën një hap të rëndësishëm për të forcuar bashkëpunimin ndërkufitar, si edhe për të promovuar një menaxhim të resurseve natyrore dhe zhvillimin e rajonit të Liqeneve të Prespës.
Dy prej bashkive pjesë e marrëveshjes janë shqiptare. Ajo e Pustecit që laget nga ujërat e Prespës së Madhe dhe bashkia e Devollit, pjesë e së cilës është një pjesë e Prespës së Vogël.
Liqeni i Prespës është një nga zonat tërheqëse turistike të Ballkanit, përveç bukurive të jashtëzakonshme natyrore shquhet për florën dhe faunën mjaft të pasur.
1 nga 5/k.s/ /a./g