Bashkohen dy Lëvizjet

Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) sot i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo u zyrtarizua në një konferencë për media që u mbajt në mesditë.
"LPK-ja ka nisur si bashkim i organizatave drejt bashkimit kombëtar. Viti 1982 shënon këtë bashkim i cili i dha hov të madh lëvizjeve të ndryshme politike e shoqërore të asaj kohe dhe popullit në përgjithësi. Pikërisht për këtë arsye, LPK-ja është subjekti që është goditur mizorisht e masivisht më së shumti nga Serbia si asnjë subjekt tjetër. Valëve të goditjeve të njëpasnjëshme në vitin ’81, ’82, ’84, ’88, ’89, ’93 dhe ’97 e ’98, LPK-ja u ka mbijetuar vetëm dhe vetëm për shkak se ishte lëvizje e jo parti. As ne sot, por as brezat e ardhshëm jo vetëm që nuk mund t’i shpjegojnë por as nuk mund t’i kuptojnë tri luftërat çlirimtare të ushtrive shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe Preshevë, Medvegjë e Bujanoc pa LPK-në. UÇK-ja në Kosovë, UÇK-ja në Maqedoni dhe UÇPMB-ja nuk mund të kuptohen e shpjegohen pa e kuptuar dhe konsideruar LPK-në", ka thënë kryetari i VV-së Albin Kurti.
Në konferencë morën pjesë drejtues të VETËVENDOSJE!-s e LPK-së. Ndërsa për mediet folën Albin Kurti, Azem Zekaj, Aida Dërguti dhe Shpend Ahmeti.
"Çështja e pazgjidhur e shqiptarëve në ish-Jugosllavi vazhdimisht ka prodhuar grupe e organizata që në shumicën e kohës kanë vepruar ose në ilegalitet ose jashtë vendit, të cilat në një moment të caktuar u konsoliduan në Lëvizjen Popullore të Kosovës. Angazhimi i të gjithë veprimtarëve për realizimin e të drejtës për vetëvendosje kulmoi me luftën e UÇK-së, bartëse e të cilës ishte Lëvizja Popullore e Kosovës. Mirëpo, zhvillimet politike që nga paslufta e deri më sot dëshmojnë një degradim, duke u shfaqur zgjatime të përçudnuara të krahut të luftës që organizoheshin si parti politike dhe duke devijuar nga qëllimi. Prandaj është e domosdoshme bashkimi i të gjithë atyre që kanë si qëllim të përbashkët realizimin e vetëvendosjes", ka thënë nënkryetarja e VV-së Aida Dërguti./Indeksonline/