Thaçi, serbëve: Kosova është atdheu ynë, ta ndërtojmë bashkë

Kosova po shënon hapa të suksesshëm për të ardhmen e saj evropiane edhe në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, proces ky i cili ka filluar dhe po vazhdon në Bruksel. Kështu u shpreh sot Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ceremoninë e përurimit të objektit të ri të Komunës së Graçanicës.
Kryeministri Hashim Thaçi sot gjatë ceremonisë së përurimit të objektit të ri të Komunës së Graçanicës u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të komunitetit serb që t’iu bashkohen angazhimeve të qeverisë për një të ardhme të qetë dhe të sigurt, trasmenton RTK-ja.
“Zotimi im përsëri sot si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës është se ne do të jemi afër qytetarëve të vendit në Graçanicë e kudo në Mitrovicë, Leposaviq e kudo. Kosova është atdheu ynë dhe ne duhet ta ndërtojmë bashkërisht”, theksoi Thaçi.
Ndërkaq shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar tha se ky objekt do të sigurojë që qytetarët të përfitojnë shërbime në mënyrën më të mirë dhe më efektive.
“Administrata të punoj në kushte më të mira të punës dhe që kryetari i komunës të jetë në gjendje të udhëheqë administratën e cila është më afër njerëzve dhe nevojave të tyre”, tha ai
Zëvendëskryeministri Sllobodan Petroviq tha se sot është duke u hapur edhe një faqe e re e ngritjes së kualitetit të jetës së qytetarëve. Për ndërtimin e objektit të komunës së re të Graçanicës Bashkimi Evropian ka investuat mbi 500 mijë euro./indeksonline/