Bashkohen për 100 vjetor
Për nder të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) dhe ai i Shqipërisë (KOSH) të shtunën në Prevallë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi.
Kjo marrëveshje është nënshkruar me qëllim të shkëmbimit të eksperiencave sportive dhe Olimpike në kuadër të vendosjes së marrëdhënieve të përbashkëta të vëllazërisë dhe miqësisë, si një faktor që do të kontribuojë në ruajtjen e paqes në rajon dhe më tej në përputhje me rregullat e Kartës Olimpike.
Palët me këtë marrëveshje do të synojnë të inkurajojnë bashkëpunimin me interes dypalësh në fushat si: Organizimin e eventeve sportive dhe olimpike me pjesëmarrjen e sportistëve dhe ekipeve nga të dy vendet, shkëmbimin e eksperiencave lidhur me organizimin dhe funksionimin e komiteteve olimpike në nivel qendror, rajonal, komunal, si dhe atë të federatave, klubeve sportive, shoqatave sportive dhe shkollave;
Bashkëpunim në fusha të ndryshme të sportit dhe shkencës si dhe bashkëpunim ndërmjet akademive olimpike respektive, me synim promovimin e lojës së ndershme, sportit për të gjithë, femra dhe sporti.
Të dyja palët angazhohen të shkëmbejnë në mënyrë periodike informacione lidhur me çështje dhe probleme me natyrë sociale, psikologjike, pedagogjike dhe shkencore, si dhe probleme të lidhura me trajnimin, median dhe marketingun në sport, të gjitha këto në kuadrin e lëvizjes olimpike.
Aplikimin e trajnimeve të përbashkëta në disiplina të ndryshme sportive me interes të përbashkët, e veçanërisht për përgatitjen për në Lojërat Olimpike “Rio 2016”
Sipas kësaj marrëveshjeje, të dyja palët rezervojnë të drejtën të amendamentojnë çështje të tjera në lidhje me këtë protokoll marrëveshjeje, subjekt i anekseve që kërkojnë miratim të përbashkët.
Ky protokoll marrëveshjeje ka vlefshmëri një vit nga momenti i firmosje. Ajo quhet e rinovuar automatikisht me të njëjtat kushte për të njëjtën periudhë kohore, kur palët nuk kanë ndonjë propozim tjetër.
Përveç kryetarit të KOK’ut Besim Hasanit, dhe kreut të KOSH’it, Ela Tase, në ceremoninë e nënshkrimi të kësaj marrëveshjeje kanë qenë prezentë edhe krerët e Ministrisë së Sportit të Kosovës dhe të Shqipërisë si dhe krerë të federatave sportive nga të dyja vendet.