E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të etur për fitore

Njëra prej ndeshjeve më interesante të kësaj jave do të zhvillohet të dielën në Gjakovë ndërmjet dy ekipeve që janë të etura për fitore - Lirisë dhe Vëllaznimit. Pas pesë javësh, prizrenasit kërkojnë fitore përballë gjakovarëve, të cilët i kanë humbur katër duelet e fundit. Prandaj, edhe kuqezinjtë alternativë të vetme e kanë trepikëshin e plotë.

Njëra prej ndeshjeve kryesore të xhiros së pesëmbëdhjetë të Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet të dielën ndërmjet dy skuadrave që po përjetojnë krizë të thellë të rezultateve, Lirisë dhe Vëllaznimit.

Kjo ndeshje zhvillohet në stadiumin e Vëllaznimit, por në cilësinë e vendasit do të luajë Liria, ngase stadiumi i vetë është i pezulluar.

Bardheiznjtë që pesë javë nuk kanë shijuar fitore, derisa në duel me gjakovarët hyjnë pas humbjes së thellë që e pësuan nga Prishtina me rezultat 3:0. Megjithatë, prizrenasit thonë se tashmë e kanë harruar atë humbje, derisa synojnë që t’u kthehen fitoreve nga përballja me Vëllaznimin.

“Ne luajmë si vendas në stadium të Vëllaznimit, andaj gjakovarët e kanë përparësinë e tifozëve të tyre. Megjithatë, te ne ka shpresa që mund ta fitojmë duelin”, tha trajneri i prizrenasve, Skender Kapra.

Në anën tjetër, edhe Vëllaznimi synon t’u kthehet fitoreve pas katër humbjeve të njëpasnjëshme. Trajneri i gjakovarëve, Malësor Gjonbalaj, thotë se fitorja është alternativa e vetme për ekipin e tij.

“Ndeshjet e kaluara duhet t’i lëmë prapa vetës dhe të shikojmë përpara. Ndaj Lirisë synojmë fitore. Trepikëshi është objektivi ynë i vetëm me të cilin mund ta rikthejmë moralin dhe vetëbesimin në ekip”, tha Gjonbalaj, ekipi i të cilit gjendet në vendin e nëntë të tabelës me vetëm 13 pikë, një më shumë sesa Liria që pozicionohet në vendin e parafundit.

Superliga – Xhiroja e 15-të

E diel

Drita – Ll. Kosova

Besa – Hajvalia

Liria – Vëllaznimi

Trepça ’89 – Ferronikeli

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 13:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›