Bashkohuni në denoncimin e padrejtësive në drejtësi
Tiranë- Gjatë investigimeve tona në fushën e drejtësisë, po zbulojmë nga dita në ditë shkelje flagrante dhe vendime skandaloze të gjykatave.
Gazeta IDEA ka vendosur të hulumtojë më tej dhe të listojë një sërë vendimesh që do të arsyetohen nga juristët si abuzive, nga ana e prokurorisë dhe gjykatës, dhe do t`ia dorëzojë në formë kallzimi Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Zvarritje të shqyrtimit të procesit (Drejtësia e vonuar = Drejtësi e mohuar), dënime në dhe nën minimumin që parashikon ligji, apo ndryshim akuze nga ajo që parashikon ligji. Drejtësia është sot sektori që lëngon më shumë nga korrupsioni. Një avokat i njohur, në një tryezë duskutimi për cështjet e drejtësisë, pohoi: Kam kohë që nuk fitoj asnjë gjyq pa paguar para, edhe kur kam patur plotësisht të drejtë.
Gazeta IDEA i fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë rastet e tyre kur kanë rënë pre e abuzimit nga drejtësia, për ti bërë ato publike dhe për tia paraqitur KLD-së për verifikim.
Nëse të gjithë do të heshtim duke iu bindur realitetit, nëse të gjithë heshim duke zbatuar parimin se ky vend kështu është, atëherë të gjithë jemi edhe viktima edhe përgjegjës për këtë realitet. Ne mendojmë se nëse i denoncojmë këto raste dhe mblidhemi të tërë tek dera e KLD-së për tia bërë publike këto raste, jo një herë por dhjetra herë, ne do të mund të prodhojmë një presion dhe një reagim nga ky institucion.
Nëse heshtim para tregtarëve që na shesin ushqime të skaduara, nëse heshim para mësuesve që na kërkojnë para për kurse private me fëmijët tanë, nëse heshim kur na kërkojnë para për të na dhënë shërbimin mjeksor, nëse heshtim kur na kërkojnë para për të fituar të drejtën, nëse heshtim kur na kërkojnë para për një vend pune, atëherë kurrë dhe asgjë nuk ka për të ndryshuar në këtë vend.
Nëse ne do të presim që gjerat të ndryshojnë me ndryshimin e pushteteve politike, atëherë kurrë dhe asgjë nuk ka për të ndryshuar përsëri. Sepse edhe ata që do të vijnë, do të bëjnë të njëjtën gjë sepse ne do të vazhdojmë të heshtim dhe përsa kohë ne do të heshtim, akush nuk do të na trembet, askush nuk do ta ketë frikë popullin.
Mentor Kikia/IDEA