Basketbol Meshkuj/ Eliminatoret e Kampionatit Europian ne Durres
Kryesia e Federatës së Basketbollit, në mbledhjen e saj të fundit, ka vendosur që ekipi kombëtar i meshkujve, 2 ndeshjet e eliminatoreve të kampionatit europian që zhvillohen në shtator, t'i luajë në Durrës. Do të jetë sërish pallati i sportit "Ramazan Njala" ai që do të presë dy ndeshjet e këtij viti të ekipit kuqezi, të vlefshme për "Euro 2007", finalet e të cilit zhvillohen në Madrid të Spanjës. Në shtator, Shqipëria do të zhvillojë në qytetin bregdetar 2 nga 4 ndeshjet e këtij viti. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Korab Llazani, ndodhen në grupin A të Divizionit B. Më 6 shtator, në Durrës do të zhvillohet sfida me Bjellorusinë, me të cilën jemi ndeshur edhe një vit më parë (i kemi humbur të dy takimet). Ndërsa më datën 13 shtator, në Durrës do të luhet ndeshja Shqipëri-Angli. Dy rivalet e tjera të grupit të Shqipërisë janë Sllovakia dhe Holanda, me të cilat do të luajmë jashtë fushe. Me sllovakët do të luajmë më 9 shtator, ndërsa me holandezët më 16 shtator.