Basketboll NBA, përcaktohen ndeshjet e Play-Off
Me ndeshjet e mbrëmshme ka përfunduar sezoni i rregullt në NBA, që ka përcaktuar përfundimisht edhe çiftet e turit të parë të Play-off. LA Leikërs, falë një fundi mjaft të mirë të këtij sezoni, kanë arritur që të ngjiten në vendin e 7-të në Konferencën e Perëndimit, duke pasur tashmë në playoff si pengesë të parë skuadrën e San Antonios.
Kalifornianët kanë arritur të mundin në kohën shtesë me rezultati 99-95 skuadrën e Hjuston, duke i rrëmbyer vendin e 7-të në renditjen e Konferencës. PaulGasol shënoi 17 pikë, 20 topa në tabelë e 11 pasime, ndërsa Duajt Hauard shtoi 16 pikë e 18 topa në tabelë në këtë fitore që i mundësoi LA Leikërs të evitonin në raundin e parë skuadrën e Oklahomas, pretendente kryesore për titull në Konferencën e Perëndimit. Ndërkohë, në Konferencën e Lindjes, sfida më entuziazmuese e raundit të parë do të jetë ajo mes Nju Jork dhe Boston, një klasike e NBA. Një vëmendje të veçantë do të ketë edhe çifti Bruklin-Çikago, nga ku do të dalë edhe kundërshtari i raundit të dytë për Majemin, që pritet të kalojë pa asnjë problem Miluokin.
Në konferencen e perëndimit do të luhen këto përballje për sa i përket fazës së Play Offit.
Oklahoma (1)-Hjuston (8),
San Antonio (2)-LA Leikërs (7)
Denver (3)-Golden Steit (6),
LA Klipërs (4)-Memfis (5)
Konferenca e lindjes
Majemi (1)-Miluoki (8),
Nju Jork (2)-Boston (7)
Indiana (3)-Atlanta (6),
Bruklin (4)-Çikago (5)