Cana, futbollisti shqiptar më me vlerë
Sport Mediasset, pas një studimi të detajuar ka publikuar vlerën e çmimit të kartonit për lojtarët që pritet të jenë në shitje dhe pagën vjetore të tyre
Portali Italian i sportit Sport Mediasset, pas një studimi të detajuar ka publikuar listën e 500 futbollistëve që luajnë në klube të ndryshme të Europës dhe që në fund të sezonin konsiderohen alternativa të mundshme në merkaton e verës. Në këtë listë të gjerë janë përfshirë të paktën 8 lojtarë të kombëtares shqiptare, për të cilët jepen shifrat e vlerës së kartonit si dhe shumës që përfitojnë brenda një sezoni, detaje këto që u vlejnë skuadrave të interesuara për shërbimet e tyre.
Kështu futbollisti kuqezi që ka vlerën më të lartë të kartonit është Lorik Cana i Lacios, kartoni i të cilit mund të blihet për 6 milionë euro, ndërsa shuma që 29-vjeçari përfiton çdo vit është 1.7 milionë euro. Pas Canës vjen portier 24-vjeçar i Palermos Samir Ujkani, i cili vlerësohet 3 milionë euro me një rrogë vjetore 350 mijë Euro.
Migjen Basha i Torinos, i ditëlindjes 1987, e la çmimin e kartonit 1.5 milionë euro, ndërsa rroga e tij arrin shifrën 300 mijë euro në sezon. I transferuar në Janar te Katania, kartoni i Edgar Çanit vlerësohet 1 milionë euro, ndërsa përfitimi vjetor i vetë futbollistit kap shifrën e 150 mijë eurove. Për të blerë mbrojtësin e Empolit, Elseid Hysaj, duhet të paguash 900 mijë euro, ndërsa rroga e tij aktuale është 20 mijë euro në sezon deri më 2015.
600 mijë euro kushton kartoni i Jahmir Hykajt, i cili përfiton 200 mijë euro në sezon te Lucerna në kampionatin zvicerian. Erjon Bogdani dhe Armando Sadiku kontrata e të cilëve me Sienën dhe Luganon skadon në përfundim të sezonit mund të merren me parametër zero, ndërsa rroga e dy sulmuesve është 250 mijë euro për 36-vjeçarin tiranas dhe 100 mijë euro për 22-vjeçarin nga Elbasani. /SuperSport/