Bylis dhe Laçi shkruajnë historinë

BYLIS 1 – 0 SKËNDERBEU
Bylis për herë të parë në finalen e kupës
Bylisi mundi dje Skënderbeun, në prani të një numri rekord shikuesish. Pothuajse gjithë qyteti kishte zbritur dje në stadiumin Adush Muça, për të mbështetur vendasit, të cilët luanin gjysmëfinalen e parë në histori përballë kampionëve të tre viteve të fundit.
Megjithatë, miqtë treguan shumë pak nga kampionllëku i tyre, teksa krijuan shumë pak raste për gol dhe nuk arritën të rrezikonin siç duhet portën e mbrojtur nga për ironi të fatit- Stivi Frashëri. Në këtë mënyrë, eurogoli i Gërxhos i dërgon të kuqtë në finale për herë të parë në histori dhe i jep mundësinë arkitektit të kësaj skuadre, Naxhi Shensoji të luajë finalen e dytë në karrierë si trajner.
Pjesa e Parë
Ndeshja nis nën një numër rekord tifozësh, ndërsa nuk mungojnë as tifozët miq, të cilët udhëtuan në Ballsh për të mbështetur ekipin e tyre të zemrës. Në minutat e para, të dy ekipet tregohen disi të kujdesshme, ndërsa rastin e parë e kanë miqtë, të cilët mund të kishin shënuar me anë të Nimagës.
Sulmuesi 17-vjeçar shfrytëzon një gabim të mbrojtjes ballshiote dhe pasi i vjedh kohën Ristevskit, hyn në zonë dhe përpiqet të kalojë dhe portierin Frashëri, i cili shtrihet në kohë dhe i vjedh topin nga këmbët malianit duke shpëtuar portën e tij. Në minutat në vazhdim, ballshiotët zgjohen dhe hedhin sytë nga porta dhe përpiqen të krijojnë raste për gol, por veprimet e tyre sulmuese nuk kanë qartësinë e duhur.
Ndërkohë, pavarësisht dominimit vendas është sërish Skënderbeu që ka një mundësi të artë me Fagun. Mesfushori tiranas godet nga një distancë prej rreth 25 metrash, por gjuajtja e tij devijohet në goditje këndi nga Frashëri, i cili është në një ditë të mirë.
Ritmi i lojës rritet ndjeshëm, dhe ka raste nga të dy krahët, teksa fillimisht janë të zotët e shtëpisë me Olajinkën, ndërsa më vonë provon Plaku por pa rezultat. Olajinka tregon vlerat e tij në minutat e fundit, teksa driblon bukur tre-katër mbrojtës korçarë, hyn në zonë dhe gjuan i vetëm me Shehin, por topi përfundon drejt e në duart e gardianit të portës mike.
Në minutat e fundit ka ende kohë për emocione, teksa bardhekuqtë provojnë fillimisht me Fagun, ndërsa i shkojnë shumë pranë golit në minutën e fundit të kohës së rregullt, kur Plaku i vetëm më Frashërin gjuan sipër traut të portës. Pjesa e parë mbyllet me rezultat të bardhë 0-0, rezultat që kualifikon ballshiotët.
Pjesa e Dytë
45 minutëshi i dytë nis më mirë për korçarët, të cilët bëjnë presing në mesfushë dhe qarkullojnë më mirë topin. Megjithatë, goli vjen në krahun tjetër dhe ballshiotët i falen të djathtës së Julian Gërxhos.
Fieraku merr përsipër një goditje dënimi nga një distancë prej 25-30 metrash, dhe gjuan fort me të djathtën, duke i dhënë topit një fallco mbresëlënëse dhe duke e dërguar në trekëndëshin e djathtë të portës së Shehit. Goli ngre peshë tifozerinë e pranishme në stadium, i cili dridhet. Gërxho lumturon një qytet të tërë, ndërsa në krahun majtë të tribunës ultrasit korçarë nuk demotivohen nga goli i pësuar, por në të kundërt bërtasin duke mbështetur akoma më fort ekipin e tyre.
Minutat në vazhdim, Skënderbeu përpiqet të reagojë me anë të Plakut, ndërsa shtatë minuta më vonë, Bola ka mundësinë të shënojë dhe golin e dytë por mbrojtja korçare bllokon goditjen e tij dhe i mban ujqërit në lojë. Josa vendos të ndryshojë diçka për ekipin e tij, dhe largon Fagun për Çaushajn, por dhe kjo lëvizje nuk sjell ndryshimin e duhur te korçarët.
Në minutën e 70-të, korçarët kanë një mundësi të mirë për të barazuar, teksa Shkëmbi dërgon një top në zonë, ku Çaushaj devijon me kokë, por pret Frashëri në dy kohë. Krahët bëhen epiqendra e sulmit korçar, dhe është herë Vrapi dhe herë Ademir, që provojnë të hedhin topin në zonë por pa rezultat.
Në minutën e 71-të, Endri Vrapi kroson bukur dhe Nimaga gjuan me të parën, por devijon Ristevski dhe ka vetëm goditje këndi për korçarët. Tre minuta më vonë, miqtë do kenë rastin e ndeshjes, teksa pas një goditjeje këndi, topi kthehet te Plaku, i cili gjuan dhe topi prek shtyllën pingule të Frashërit, duke i mohuar kështu golin sulmuesit shtatshkurtër.
Ndërkohë që Skënderbeu është i gjithi në sulm, të besuarit e Shensojit, tentojnë të gjejnë golin e sigurisë më kundërsulme dhe në minutën e 78-të Olajinka ka mundësinë më të mirë për të dyfishuar. Gërxho del bukur në krahun e majtë, kroson në zonë dhe Olajinka i vetëm gjuan fluturimthi me të djathtën, por Shehi bën mrekullinë duke mbajtur në lojë të tijtë.
Minutat e fundit flasin vetëm për korçarët, të cilët janë padronë absolutë të fushës, por nuk arrijnë të konkretizojnë epërsine e tyre. Josa provon dhe kartën e fundit, Pero Pejiç, por shtatlarti kroat nuk sjell ndonjë ndryshim në lojë dhe rezultati mbetet i pandryshuar deri në fund. Në këtë mënyrë, Bylisi arrin në finale, një rezultat historik, ky për ekipin ballshiot.
Reagimet e trajnerëve
Mirel Josa: Mendoj se bëmë një lojë të mirë, pasi krijuam raste të shumta, të cilat pot ë ishin finalizuar do flisnim ndryshe. Bylisi bëri lojën e tij dhe na vuri disa herë në vështirësi por nuk mendoj se ishte superior ndaj nesh, pasi rastet ishin pothuajse të barabarta. Ishim të pafat në disa momente, ndërsa nuk u treguam të saktë në disa të tjera.
Mendoj se luajtëm mirë, por na mungoi goli. Duhet të punojmë më tepër dhe të tregohemi më të sigurt në rastet që na jepen. U ndëshkuam nga një goditje standarde, dhe nga një gjuajtje që nuk mund të pritej. Fazën e dytë kemi patur një rënie, dhe kjo deri diku për shkak të epërsisë së madhe në kampionat. Megjithatë, sot (dje) të gjithë dhamë maksimumin, pasi që nga mua i pari dhe deri te lojtarët, të gjithë donim të ngrinim dy trofe sivjet. I uroj suksese ekipit të Bylisit.
Naxhi Shensoji: Është një arritje e madhe, për ekipin tonë. Isha i bindur te forca e lojtarëve të mi, dhe besoj te suksesi. Siç e kam thënë me kohë, ne kishim 51% mundësi të kalonim në finale të kupës dhe ndodhi që kaluam. Disa duan ta quajnë aksidentale mënyrën sesi kaluam, por ky është një investim që ka nisur përpara dy vitesh nga Presidenti Besnik Kapllanaj. Skënderbeun e bllokuam në mënyrë të shkëlqyer, dhe nuk i lamë mundësi të dilte në lojën e tij.
Po të shikoni ndeshjen, ata kanë pasur dy-tre raste për gol dhe për një ekip kampion, nuk është normale të krijoj kaq pak. Jam i bindur për forcën e ekipit, dhe mund të them se sërish kemi 51% mundësi të fitojmë kupën. Laçi ka një ekip të fortë dhe mposhti Kukësin, por ne mposhtëm kampionët kështu që jemi sërish të favorizuar. Kam luajtur në një finale më parë dhe e kam humbur, ndërsa kësaj here besoj se do ja dal.
LAÇI 1 – 0 KUKËSI
