Tirana, në luftë me euforinë

Tirana në basketboll për meshkuj është surpriza më e bukur e fazës Play-off për titull kampion, Pikërisht në “Ramazan Njala” të Durrësit, bardheblutë e Erkand Karajt kanë fituar 83-71 përballë Teutës, e cila është me petkun e kampiones në fuqi. Klein Strazimiri, në një intervistë për Radio Televizionin Shqiptar, pranon se nuk ka qenë një ndeshje e thjeshtë, ndërsa Tirana rikthehet tek suksesi në Durrës pas gati një viti.
“Kemi fituar ndeshjen e parë. por kjo nuk do të thotë që jemi në finale. Për të qenë e thjeshtë nuk ka qenë aspak e tillë në Durrës. Por kam përshtypjen që në “Farie Hoti” do të jetë akoma edhe më e vështirë”, thotë Strazimiri.
Por çfarë bëri diferencën në fushën e lojës mes Tiranës e Teutës?
“Të dielën kemi bërë ndeshjen më të mirë të kampionatit. Kjo të paktën në mbrojtje, ndërsa kemi pësuar vetëm 71 pikë. Ky mendoj se ka qenë suksesi jonë”, përgjigjet Strazimiri.
Të enjten luhet ndeshja e dytë në sallën sportive “Farie Hoti”, ndërsa Strazimiri tregon se nuk ka vend për eufori pasi gjithçka negative do të jetë në dëm të bardhebluve
“Tirana nuk ka nevojë për eufori maksimale, sepse objektiv kryesor kemi titullin kampion. Ky është edhe objektivi që i kemi vënë vetes që në fillim të sezonit. Në fakt kemi humbur dy finale deri më tani. Por besoj që Tirana do të shkojë drejt titullit e do të jenë kampion këtë vit”, nënvizon lojtari bardheblu.
Titulli kampion, sa e aftë është Tirana për të rikthyer trofeun pas pesë vitesh mungesë?
“Tek Tirana ka një rregull të pashkruar që luajnë më shumë lojtarët vendor, ndërsa përforcimet me basketbollistë të huaj mbesin vetëm të tillë. Shpresoj të vazhdojë ky rregull i pashkruar. Pra të vijnë amerikanët dhe të luajnë ato. Kështu që besoj se Tirana është qind për qind e gatshme për të shkuar drejt titullit”, thekson Strazimiri.
Besëlidhja apo Kamza Basket në finale? Tirana nuk ka preferenca për kundërshtarin, teksa më parë kërkon të kalojë Teutën në gjysmëfinale.
“Objektivi im ka qenë që të qëndroj tek Tirana dhe të dalë kampion”, përfundon Strazimiri.
Tirana – Teuta luhet të enjten në ora 19:00 në sallën sportive “Farie Hoti”.