Bastet dhe trukimetKom.Olimpik mbledhjeurgjente në Lozanë
TIRANE- Lufta kundër basteve të paligjshme dhe trukimit të ndeshjeve ka mbledhur për herë të parë në Lozanë të Zvicrës figura të rëndësishme të sportit botëror, të qeverive, të industrisë së basteve dhe të jurisprudencës. Mbledhja u thirr nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar për të vendosur ndërmarrjen e një rruge në luftimin e fenomenit të basteve të paligjshme, pas skandaleve të shumta që kanë përfshirë sportin ndërkombëtar në vitet e fundit. Veç organizatave sportive, në takim ishin edhe Ronald Noble, sekretari i përgjithshëm i Interpolit, Mishel Barnier, Komisioneri Europian për tregun e brenshëm, si edhe ministria nga qeveritë e Australisë, Francës, Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar, përveç përfaqësuesve të kompanive kryesore të basteve. Sipas përllogaritjeve të fundit, organizatat kriminale xhirojnë dhe pastrojnë nëpërmjet basteve të paligjshme mbi 1 miliardë dollarë në vit, ndërkohë që kjo çon deri në manipulimin e ndeshjeve të futbollit. “Bastet e paligjshme përfundimisht janë rreziku më i madh për sportin, do ta vija në një rang me dopingun, ndonëse është një problem i ri për ne, - deklaroi kreu i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Zhak Rozhe. – Bastet kanë çuar në humbjen e kredibilitetit të sportit, pasi njerëzit nuk besojnë më te rezultatet dhe emocionet që sjell sporti”, tha më tej ai. Zhak Rozhe deklaroi gjithashtu se që nga kjo mbledhje, do t’i shpallet luftë basteve të paligjshme, në bashkëpunim edhe me qeveritë e vendeve të ndryshme. Sipas sekretarit të përgjithshëm të Interpolit, Ronald Noble, mijëra njerëz në mbarë botën janë përfshirë në bastet e paligjshme. “Ne kemi zhvilluar operacione vit pas viti në Azinë Juglindore dhe kemi arrestuar mijëra njerëz të përfshirë dhe miliona dollarë që rridhnin nga bastet e paligjshme. Mendojmë se është një krim i organizuar tepër serioz, që duhet të shqetësojë shumë botën”, deklaroi Noble. Duke qenë se pas një viti zhvillohen Lojërat Olimpike të Londrës, ministri anglez i sporteve Hjuxh Robertson kërkoi nga Komiteti Olimpik të luftojë më shumë problemin e basteve. “Aktualisht nuk ka ende probleme të identifikuara për Lojërat Olimpike, por vetëm një budalla mund të mendojë se kjo nuk do të ndodhë. Sistemi i dopingut është i mirëkontrolluar, por jo ai i basteve”, deklaroi Robertson. Në përfundim, takimi i Lozanës u kërkoi qeverive të të gjithë botës të reagojnë kundër basteve të paligjshme, të legalizojnë operatorët e basteve dhe të ngrenë fonde për organizata sportive që luftojnë mashtrimet në sport.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)