Bastian Shvajnshtajger: Gjermani braziliane, në sajë të Mario Gomezit!
Mesfushori i përfaqësueses së Lëvit: Mario më habit gjithmonë me ato që bën në zonë. Tani duhet të fitojmë ndaj Danimarkës edhe për mikun tim Van Bomel!
Edhe në ditën më të mirë, vjen dikush që të kujton dhimbjet e së kaluarës. Bastian Shvajnshtajger doli me zemrën e copëtuar nga finalja e Ligës së Kampionëve, në të cilën gaboi penalltinë decizive duke goditur shtyllën.
Ndaj Holandës erdhi në fakt performanca e parë lehtësuese, pas atij shokimi: e keni kaluar tashmë?
Edhe nëse do të doja ta harroja, ishte e pamundur. Në hotelin tonë gjeta Roman Abramoviç, pronarin e Çelsit. Më inkurajoi, ndërsa unë i bëra komplimente, çfarë mund ti thosha?
Po Van Bomelit çfarë i thatë? Kthehuni në shtëpi holandezë antipatikë?
Jo, ishim në mes të fushës në fund të ndeshjes, ai ishte shumë i zhgënjyer: i sigurova se do të mposhtnim Danimarkën, pasi në këtë mënyrë, nëse ata kalojnë Portugalinë do të kualifikohen. Pastaj e përqafova.
Horror: fanella e një gjermani në dhomën e pritjes së një holandezi.
Jo, fanellën nuk ia dhashë atij, por Daniel Baierit.
Kush është ky?
Një futbollist i Augsburgut, miku im. U ngjita në tribunë dhe shkëmbeva fanellën: një të djersitur për një të thatë. E fitova! Një profesionist i Bundesligës, i cili na ndjek si tifoz, tregon se sa e adhuruar është kombëtarja.
U pa të mërkurën në televizion nga 27 milionë gjermanë: do ta kritikojnë ende Gomezin, pas kësaj dopiete?
Jo. Duhet të jemi të kujdesshëm se mos na e merr Brazili.
Pse?
Mbeta i shokuar nga mënyra se si u rrotullua Mario. E patë çfarë mrekullie, si të ishte një brazilian. Nuk arrita as të festoja, pas atij befasimi: këtë herë nuk ka gabuar pas asisteve të mia.
Çfarë ka më shumë kjo Gjermani, në krahasim me atë të 2010-s?
Eksperiencë, qetësi dhe konkretizim: nuk nxitohemi më në pasimin e fundit, presim momentin e duhur për të goditur.
E si mund të rritet akoma më shumë?
Duke përmirësuar fazën mbrojtëse. Ajo e Spanjës është perfekte: mbron duke sulmuar.
Po ju?
Kam patur një sezon të vështirë, prej dëmtimeve të shumta dhe nuk jam në maksimumin tim: fiziku ka ndikuar, ndihem gjithandej dhimbje.
Përveç dy asisteve, u pa sërish lideri agresiv, ashtu siç e quan Lëv.
Nuk jam i keq, por kur vjen puna për të dukur, duhet të shfaq prezencën time.
Kundër Danimarkës do të mungojë Boateng, i skualifikuar. Ai është lojtar kyç në formacion, kush do ta zëvendësojë?
Nuk jam unë trajneri, por përjashtoj mundësinë që të luajë Kloze në mbrojtje. Nuk do të jetë e lehtë, por duam ta fitojmë edhe atë sfidë.
Për ti bërë një favor mikun tuaj, Van Bomel?
Jo, për të luajtur çerekfinalen pikërisht këtu në Gdansk. Këto udhëtimet janë një stres më vete, u bllokuam për një kohë të gjatë mbrëmjen e kaluar në rrugë. UEFA duhet ti organizonte më mirë këto udhëtime. Ukrainasit e kullës së kontrollit nuk kuptonin anglisht, kështu që nuk mundëm të niseshim.
Sulmuesi në histori
Podolski, ndaj Danimarkës ndeshja numër 100
Ekziston një lojtar, i cili mund të bëhet i 7-ti në histori, që mund të luajë 100 ndeshje për Gjermaninë, pikërisht të dielën ndaj Danimarkës.
Ai ka shënuar 43 gola në 99 takime deri tani dhe mund të jetë pjesë e kombëtares edhe për shumë vite të tjera: ai mbushi 27 vjeç ditën kur ekipi i Joakim Lëvit mbërriti në Gdansk. Lojtari në fjalë është Lukas Podolski, por me këtë forcë që ka Gjermania aktuale, vendi i tij nuk duket i garantuar në skuadër.
Gjermania është ekipi i vetëm që e ka nisur me dy fitore radhazi këtë Europian, por ende nuk janë të gatshëm të pushojnë mbi dafina. Podolski, veçanërisht, mund të shohë pas shpine paksa i nervozuar, duke parë lojtarë si Andre Shyrrle, Marko Rojs dhe Mario Gëtce, në pritje për të zbritur në fushën e blertë.
Podolski, i cili do të bashkohet me Arsenalin pas këtij turneu, ka vuajtur për të kapur lartësitë e Botërorit 2006, ku shënoi 3 herë, duke formuar një partneritet produktiv me Miroslav Klozen në sulm. Që kur është pozicionuar në krahun e majtë të formacionit 4-2-3-1 në çerekfinalet e Euro 2008 ndaj Portugalisë, ai nuk ka patur të njëjtin impakt.
Futbollisti me një të majtë të frikshme është përmirësuar në aspektin mbrojtës, por nuk është përfshirë gjithmonë në aksionet e Gjermanisë, që ka shkëlqyer në 4 vitet e fundit. Prezenca e Shyrrles, Rojsit dhe Gëtces në skuadër, nënkupton presion në rritje por Podolski, një lojtar që shfrytëzon mirë rastet, mund të shkëlqejë sërish dhe Danimarka duhet të jetë e paralajmëruar.
