E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjithmonë Ronaldo kundër Mesit: Vjet në këtë kohë Leo u eliminua

Tifozët e Danimarkës e kanë provokuar duke thërritur emrin e Mesit. Portugezi reagon pas ndeshjes: Vitin e kaluar Argjentina e tij u eliminua që në fazën me grupe.

Kori “Mesi, Mesi…” që zakonisht tifozët kundërshtarë i rezervojnë Ronaldos nuk është diçka e re. Përkundrazi, nëntorin që shkoi, sapo kishte mbërritur në Sarajevë, Kristiano Ronaldo u prit nga dhjetëra boshnjakë që brohorisnin emrin e argjentinasit në kor në aeroport. Ronaldo dhe Portugalia e fituan atë përballje play off kundër Bosnjën, duke u kualifikuar në Euro 2012. Në Ukrainë gjërat nuk kanë ndryshuar. Gjatë ndeshjes së të mërkurës, kur topi ishte në këmbët e Ronaldos, danezët nisnin korin “Mesi, Mesi…”.

Ku ishte ai? – Ronaldo kundër Danimarkës luajti keq, por ama fitoi Portugalia. Kur mbaroi ndeshja, gazetarët e pyetën: “Çfarë mendon për koret”. Portugezi pa mëshirë përgjigjet: “Ju e dini ku ishte Mesi vitin që shkoi në këtë periudhë? Ishte i eliminuar nga Kupa e Amerikës, që luhej në Argjentinë. A nuk është më keq? Kurse unë jam ende këtu, duke luftuar që të kualifikohemi në fazën tjetër të Europianit.” Ronaldo më pas ka shtuar se nuk është i merakosur që nuk po shënon dot. “Jam mirë dhe do të isha i lumtur sikur të mos shënoja asnjë gol dhe Portugalia të kualifikohej. Tani mund të shkojmë në çerekfinale nëse mundim Holandën, kjo është e rëndësishme.”

Shtypi Të përditshmet argjentinase u ngutën të shkruanin se vjet Mesi u eliminua nga Kupa e Amerikës, por në çerekfinale kundër Uruguajit, kurse Ronaldo në Portugali nuk arriti të fitonte Europianin 2004 kundër Greqisë. As gazetat portugeze nuk i kanë kursyer kritikat për performancën e CR7 kundër Danimarkës. “Portugalia fiton edhe pa Ronaldon, i cili humbi dy raste të pastra”, shkruan e përditshmja sportive A Bola, kurse Record e hap me Faleminderit Varela”, duke nënvizuar se “karakteri i skuadrës ishte i madh, në një ndeshje ku Pepe dhe Nani kompensuan dështimet e Ronaldos”. Për Diario de Noticias, “Ronaldo është më i miri në botë, por jo në Portugali” dhe për dikë do të kishte nevojë për “një psikolog që të kontrollonte ankthin e Ronaldo. Kur të jetë më pak i fiksuar pas fitores, gjithçka do të jetë më e lehtë. Nëse Portugalia dot ë kishte humbur, do ta kishin kryqëzuar tani.”

 

Babai i Mesit

Djali im e fiton Topin e Artë në fushë, jo me reklama

Babai i Lionel Mesit beson se një lojtar e fiton Topin e Artë të FIFA-s duke luajtur mirë në fushë dhe jo duke dalë nëpër reklama. Sulmuesi i Barcelonës e ka fituar tri herë radhazi këtë trofe, duke lënë pas Kristiano Ronaldon e Realit të Madridit në dy raste. Horge Mesi beson se i biri ishte fitues me meritë për shkak të asaj që ka dhënë në fushë dhe se diskutimi i fituesve potencialë në shtypin e përditshëm është gjë negative. “Mesi ka mentalitetin e fituesit dhe kjo nuk ndryshon tek ai. Ai ishte shumë i mërzitur pasi Barça u eliminua në Champions nga Çelsi, por mësoi nga ajo humbje”, ka thënë Horge. “Krahasimet mes Mesit dhe Ronaldos kanë shije të keqe dhe disa njerëz i diskutojnë këto gjëra në shtyp duke lënë shije të keqe. Nuk e fiton Topin e Artë duke dalë nëpër reklama, por për atë që jep në fushë. Kush e meriton le ta fitojë, Leo ose Kristiano apo dikush tjetër.” Pasi fitoi Ligën e kampioneve dhe Premier Ligën në sezonin 2008, Ronaldo fitoi Topin e Artë.

 

Bendter bën reklamë me të mbathurat, UEFA e paralajmëron

Sulmuesi i Danimarkës ka bërë publike të mbathurat e tij gjatë festimit të golave ndaj Portugalisë

Sulmuesi i Danimarkës, Niklas Bendtner, është paralajmëruar të mos bëjë publike më të mbathurat e tij hajmali që shfaqi pasi shënoi gol në humbjen 3-2 kundër Portugalisë të mërkurën. Bendtner e festoi golin e tij të dytë duke treguar mbathjet e tij, të cilat ishin sponsorizuar nga firma e basteve Paddy Power. Sulmuesi i Arsenalit ka thënë se ai ki kishte veshur ato mbathje edhe në ndeshjen e parë të Euro 2012 për Danimarkën dhe në ndeshje të tjera para turneut, ndonëse rregullat e UEFA-s thonë se të gjitha veshjet gjatë finaleve duhet të jenë pa sponsorë. “Janë thjesht një palë mbathje që më sjellin fat, të cilat i kam veshur edhe në ndeshjen e parë të Europianit, por edhe para tij, ka thënë Bendtner. “Nuk e dija se po thyeja ndonjë rregull, por tani e di.” Federata Daneze e Futbollit sponsorizohet nga Ladbrokes, një tjetër firmë bastesh, kështu që nuk mund të ishte e kënaqur nga festimi i Bendtnerit kundër skuadrës së Paulo Bentos. Llogaria e firmës Paddy Power në rrjetin Twitter tregoi një foto të Bendtnerit pas golit teksa festonte. “Kemi folur me lojtarin dhe ai nuk do të luajë me ato mbathje kundër Gjermanisë të dielën”, ka komunikuar federata daneze me anë të drejtorit të komunikimit, Lars Berendt. Danimarka është ende në lojë për tu kualifikuar në çerekfinale në Grupin B, edhe pse u mund nga Portugalia.

Denis Romedahl humbet ndeshjen ndaj Gjermanisë

Denis Romedahl nuk do të luajë në ndeshjen e fundit të Danimarkës në Grupin B kundër Gjermanisë nesër, ka thënë trajneri Morten Olsen. Sulmuesi 33-vjeçar u nxor nga loja në minutën e 60-të gjatë humbjes 3-2 kundër Portugalisë të mërkurën sepse dyshohej për një dëmtim të tij.  Niki Zimling, i dëmtuar që kur nisi turneu, mund të jetë i gatshëm të luajë. “Romedahl nuk ka shanse të luajë, por shpresoj te Zimling”, ka thënë Olsen për gazetarët. Dëmtimi i lojtarit të Brondbit ende nuk është përcaktuar se sa i rëndë është, por ai do të bëjë analiza të tjera për të përcaktuar se sa kohë do ti duhet të kthehet në fushë, nëse danezët vazhdojnë rrugën për më tej. Danimarka do të kualifikohet nëse arrin të mposhtë Gjermaninë dhe Portugalia nuk arrin të mposhtë Holandën. Të dyja ndeshjet luhen të dielën në orën 20 e 45.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›