Bastiset biznesmeni, i marrin 50 mijë euro bizhuteri
Persona të panjohur shqyen derën e apartamentit dhe kasafortën e Valter Kozelit në Selitë
TIRANE- Bastiset banesa e biznesmenit të ëmbëlsirave, Valter Kozeli, në Selitë. Autorët marrin para dhe bizhuteri me vlerë 50 mijë euro e bashkë me bizhuteritë edhe një orë "RADO", një orë tjetër me vlerë rreth 7 mijë euro dhe një byzylyk të rrallë.
Lajmi është bërë i ditur për gazetën "Shekulli", nga burime të policisë së kryeqytetit të cilët pohuan se vjedhja ka ndodhur të martën paradite, rreth orës 11:00, ndërsa në banesë nuk ka pasur njerëz pasi ata kanë qenë në punishten e ëmbëlsirave "Pasarela" në pronësi të Valter Kozelit. Ngjarja është konfirmuar për gazetën "Shekulli", edhe nga vetë biznesmeni i dëmtuar Valter Kozeli, 41 vjeç, nëpëmrjet linjës telefonike.
Sipas Kozelit, në shtëpinë e tij në Selitë, janë vjedhur, një sasi bizhuterish dhe sendesh të tjera me vlerë të cilat i afrohen vlerës së rreth 50 mijë euro.
Ndërkaq, burimet e policisë së komisariatit nr.2, konfirmuan për "Shekullin", se krimi është kryer nga së paku 2 persona të cilët kanë mundur të futen në banesën e biznesmentit të njohur të ëmbëlsirave në Selitë.
Krimi ka ndodhur rreth orës 11:00 të së martës, pak moment pasi pronari i saj, Valter Kozeli, ka dalë nga shtëpia për të shkuar tek pastiçeria. Pronari i pastiçeri "Pasarelës", ka konstatuar vjedhjen në banesën e tij, vetëm 15 minuta pasi kishte dalë nga banesa, kur ai është kthyer nga punishtja e tij.
Sipas burimeve të policisë, vjedhja është kryer me thyerje, ku autorët kanë mundur të presin me një mjet prerës të fortë derën e blinduar të apartamentit, ndërsa më parë kishin hapur me lehtësi derën e jashtme të pallatit, pa qenë fare e nevojshme përdorimi i citofonisë.
Pasi kanë hapur derën e apartamentit autorët nuk e kanë pasur të vështirë t'i drejtohen dhomës së gjumit dhe më pas të marrin që aty sasinë e konsiderueshme të bizhuterive dhe të sendeve të tjera me vlerë të majme që ndodheshin në kasafortë.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes pas lajmërimit të të dëmtuarit, ndërsa ka kryer veprimet e para në vendin e ngjarjes, duke shoqëruar edhe disa persona.
Ndërkaq nga këto veprime, policia ka ngritur dyshimet se autorët kanë qenë së paku dy në apartament ndërsa një tjetër apo më tepër kanë ndjekur lëvizjet e pjesëtarëve të familjes së biznesmenit të njohur të ëmbëlsirave në Selitë. Blutë kanë shoqëruar disa persona në ambientet e tyre edhe gjatë ditës së djeshme por ende nuk kanë mundur të zbulojnë autorin e krimit.
Mësohet se ngjarja e dy ditëve më parë, është e katërta në dëm të biznesmenit Kozeli, të cilit më parë i është vjedhur në mënyrë të përsëritur një autoveturë dhe biznesi i tij i pastiçerisë.