Programi i Berishës: Shqipëri nukleare e qymyri
Berisha premton reformë të thellë në Arsim dhe Shëndetësi, shkurtim të administratës me 10%, ujë 24 orë e internet në fshat
"Shqipëria superfuqi energjetike në rajon, parakupton infrastrukturë të re transmetimi dhe lidhje energjetike me rajonin"
TIRANË - Shqipëria e katër viteve që vjen nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha, do të jetë vendi i energjisë nukleare dhe i termocentraleve me qymyr.
Si asnjëherë tjetër, Kryeministri Sali Berisha ka prezantuar dje programin qeverisës me premtime thuajse të parealizueshme për këtë mandat qeveritar. Ai nxori në pah edhe synimin e tij për një Shqipëri të mbushur me parqe industriale e energjetike.
Realizimi i këtyre projekteve, sipas Kryeministrit Berisha, do të çojë në hapjen e 160 mijë vendeve të reja pune. "Objektivi ynë madhor për katër vitet që vijnë është që në Shqipëri, në parqe industriale, në parqe energjetike, porte, veçanërisht në Portin e ri të Vlorës, autostrada e aeroporte, hidrocentrale dhe vepra të tjera të investitohen rreth 12 miliardë euro.
Disa miliarda euro do të investohen në rreth 150 hidrocentrale, që do të ndërtohen apo do të nisin ndërtimet në rrethet e Elbasanit, Peshkopisë, Gjirokastrës, Mirditës, Tiranës, Gramshit, Shkodrës, Kukësit, Tropojës. Miliarda të tjera do të investohen në Vlorë, Durrës, Tiranë, Shëngjin, Fier, Elbasan, Korçë në porte, vepra energjetike dhe parqe industriale.
Në këto vepra do të punësohen rreth 160 mijë punonjës", - tha ai. Berisha shtoi se shfrytëzimi i qymyreve të vendit apo të importit, duke ruajtur standardet më të larta mjedisore, do të jetë një drejtim tjetër i programit të qeverisë shqiptare.
"Termocentralet me qymyr po ndërtohen sot në mbarë Europën. Shqipëria superfuqi energjetike në rajon, parakupton një infrastrukturë të re transmetimi dhe lidhjeve energjetike me rajonin.
Në këtë kontekst, pas përfundimit të linjës Elbasan-Podgoricë, do të fillojë dhe përfundojë, brenda këtij mandati, linja Tiranë-Prishtinë, Elbasan-Shkup, si dhe linja nënujore Shqipëri-Itali", - tha ai.
Duke premtuar në njërën anë një vend me superfuqi energjetike, Berisha angazhohet nën anën tjetër për mbrojtjen dhe ruajtjen e pastërtisë së ajrit, në përputhje me standardet evropiane. Kështu, duke filluar nga 1 janari i vitit 2010, sipas tij, do të ndalohet tërësisht përdorimi i naftës D2, e cila, sipas tij, shkarkonte në ajrin e vendit rreth 7500 ton squfur në vit.
Rrugët
Kryeministrin Sali Berisha nuk e ndali asgjë dje në premtimet e tij. Brenda këtij mandati ai premtoi ndërtimin e një aeroporti të ri në jugun e Shqipërisë. Madje, përpos kësaj, ai ka premtuar sërish ndërtime aksesh rrugore. "Brenda dy viteve që vijnë, do të përfundojnë autostradat: rruga e Arbrit, Levan-Vlorë, Levan-Tepelenë, Tiranë-Elbasan, Qafë Plloçë-Qukës, Boshti i Jugut në trajektoren Elbasan-Belsh, Kuçovë-Berat, Kardhiq-Delvinë, Konispol-Sarandë, Fushë Krujë-Ura e Limuthit, si dhe shndërrimi në katër korsi i autostradës Shkodër-Vlorë",- tha ai.
Brenda vitit 2013, sipas tij, do të përfundojë së ndërtuari Unaza e Madhe e Tiranës, unaza veri dhe juglindore e vendit, me trajektoren: Shkodër, Theth, Valbonë, Krumë, Kukës, Peshkopi, Librazhd, Kolonjë, Përmet, Delvinë; autostradat Fierzë-Koman, Shkodër-Vermosh, segmentin Berat-Memaliaj, Boshtit të Jugut. Madje, Kryeministri u zotua se qendrat e të gjitha fshatrave të vendit do të lidhen me qendrat e komunave dhe rrugët kombëtare brenda 12-25 minutave.
Ujë 24 orë
Ashtu si edhe katër vite më parë, Kryeministri Sali Berisha premton 24 orë ujë. Por sot, kur uji mungon më shumë se asnjëherë tjetër në vend, Berisha premton se do të ndërtohen 800 ujësjellës në të gjithë vendin.
"Ujë 24 orë për familjet shqiptare, në fshat dhe qytet, duke ndërtuar apo rindërtuar edhe rreth 800 ujësjellës në mbarë vendin, është një objektiv tjetër ambicioz i qeverisë sime",- tha ai.
Arsimi
Kryeministri i vendit premtoi dje reformë të thellë në arsim. Ndër të tjera, Berisha ka premtuar dyfishimin e investimeve të sektorit privat në arsim, si dhe heqjen e TVSH-së për arsimin privat. Kryeministri shtoi gjithashtu se rrogat e mësuesve të vendit do të rriten, por nuk përmendi se sa për qind.
Numri i studentëve, sipas tij, do të rritet në 150 mijë. Kryeministri Berisha premtoi sërish internet në të gjitha shkollat. Madje Kryeministri u zotua për mbërritjen e internetit në çdo fshat.
Shëndetësia
Berisha premtoi dje rritjen me 60% të buxhetit për shëndetësinë. Ai deklaroi se do të reformohet tërësisht sistemi i menaxhimit dhe financimit të shërbimit shëndetësor; do të vazhdojë rritja e rrogave dhe pensioneve të mjekëve dhe infermierëve; do të ketë kujdes për fëmijët, dhe vaksinimi i tyre do të ridimensionohet.
Po kështu, kujdesi për gratë, mamografia dhe pap-testi do të jenë falas, sikundër ekografia për gratë shtatzëna; sigurimet shëndetësore do të shtrihen për të gjithë qytetarët.
Administrata
Qeveri e vogël, eficiente dhe në dietë ka premtuar dje kreu i ekzekutivit. "Në këtë kontekst, ne, zotohemi të zvogëlojmë më tej, edhe me 10 %, administratën publike të Shqipërisë",- tha ai.
Sipas tij, statusi i Nëpunësit Civil do të konsolidohet dhe zgjerohet. Për trajnimin dhe kualifikimin e administratës publike, Qeveria do të konsiderojë ngritjen e Universitetit të Administrimit Publik. Ndërsa shpenzimet operative, sipas tij, do të ulen me 25%. Berisha premtoi dje edhe respektimin dhe konsolidimin e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve.
Pronat
Kryeministri Berisha nuk la pa përmendur dje nga programi i tij qeverisës edhe objektivat për ish-pronarët. Ndërkohë që për ish-të përndjekurit, kreu i ekzekutivit nuk përmendi asnjë rresht në fjalimin e tij të gjatë për më shumë së një orë në Kuvend.
Ai premtoi rritjen progresive të fondit të kompensimit monetar dhe fizik të pronave dhe rikthimit të tyre në të gjitha rastet e mundshme, si dhe përfundimin e procesit të legalizimit në të gjithë territorin e vendit, në përputhje me ligjin ekzistues, brenda shtatorit të vitit 2010.
Premtimet e qeverisë Berisha
Respektimi dhe konsolidimi i ndarjes dhe kontrollit të pushteteve;
Përcaktimi më i qartë i kompetencave midis Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë;
Qeveri e vogël, eficiente dhe në dietë ;
Zvogëlimi me 10 % i administratën publike ;
Shkurtimi me 25% të shpenzimeve operative;
Do të krijohen gjashtë parqet industriale;
Në të gjitha lejet dhe licencat do të vendoset parimi heshtja është miratim;
Reduktimi i mëtejshme i barrës fiskale, si heqja e TVSH për mallrat dhe shërbimet në arsim dhe shëndetësi,
reformim i sistemit të pensioneve dhe sigurimeve shoqërore.
Shfrytëzimi i qymyreve të vendit apo të importit, duke ruajtur standardet;
Brenda këtij mandati përfundon linja Tiranë-Prishtinë, Elbasan-Shkup, si dhe linja nënujore Shqipëri-Itali;
Katër vitet që vijnë do të krijohen rreth 160 mijë vende pune;
Stimuj fiskalë për punëtorët në vitin e parë të punësimit të tyre;
Do të merren përsipër sigurimet shoqërore të punonjësve të rinj;
Numri i studentëve të rritet në 150 mijë;
Të hiqet TVSH për arsimin privat;
Rrogat e mësuesve të vendit të rriten;
Do të reformohet sistemi i menaxhimit dhe financimit të shërbimit shëndetësor;
Do të vazhdoje rritja e rrogave dhe pensioneve të mjekëve dhe infermierëve;
Sigurimet shëndetësore do të shtrihen për të gjithë qytetarët;
Rritja progresive të fondit të kompensimit monetar dhe fizik të pronave dhe rikthimit të tyre në të gjitha rastet e mundshme;
Zgjidhja brenda vitit 2011 e titujve të pronësisë, bazuar në ligjin 7501;
Përfundimi i procesit të legalizimit në të gjithë territorin e vendit, në përputhje me ligjin ekzistues, brenda shtatorit të vitit 2010;
Ndërtimi i një aeroporti të ri në jugun e Shqipërisë;
Ujë 24 orë për familjet shqiptare, në fshat dhe qytet, duke ndërtuar apo rindërtuar edhe rreth 800 ujësjellës në mbarë vendin;
Duke filluar nga 1 janari i vitit 2010, do të ndalohet tërësisht përdorimi i naftës D2;
Qendrat e të gjitha fshatrave të vendit do të lidhen me qendrat e komunave dhe rrugët kombëtare brenda 12-25 minutave;
Internet në të gjithë fshatrat;
Do të garantohet 24 orë ujë të pijshëm.