E Diel, 1 Nëntor 2026

Batica në Lezhë, në rrezik mjaft banesa

LEZHë- Fenomeni i carjes së brezit të rërës dhe depërtimit të detit të kënetë ka gllabëruar një sipërfaqe të konsiderueshme toke në zonën e Shëngjinit, duke përmbytur qindra hektarë dhe disa lokale private. Njëkohësisht është bllokuar edhe rruga që lidh Shëngjinin me zonën e Kunës, duke izoluar mjaft familje që jetojnë aty. Erozioni ka dëmtuar edhe brezin e pishave duke vazhduar drejt lagunës, duke vënë në rrezik biodiversitetin në këtë zonë dhe shtëpitë e ndërtuara shumë pranë saj. Aktualisht detin dhe lagunën i ndan vetëm një brez i shkurtër, por reshjet e fundit dhe baticat e detit e rrezikojnë ekzistencën e zonës së mbrojtur në Kunë. Për mëse një vitit ekspertët e mjedisit kanë dhënë alarmin sos për katastrofën natyrore që po kërcënon të gjithë zonën e mbrojtur. Ndërkohë paraditen e sotme kryeministri inspektoi argjinaturën mbi lumin Mat dhe argjinaturën që po ngrihet në Ishull Shëngjin. Të dyja këto argjinatura provizore do të pengojnë depërtimin e ujit nga batica e detit. Zona e Lezhës është një nga më të goditurat nga përmbytjet, ku pak ditë më parë dhjetra shtëpi u izoluan nga uji për shkak të fenomenit të baticave dhe bashkimit të ujrave të reshjeve me lumenjtë. Shtabi i emergjencave civile nuk ka bërë një bilanc të detajuar, kurse banorëve iu është premtuar por deri më tani nuk iu është dhënë asnjë ndihmë.(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›