Nimic konsulta të reja për çështjen e emrit
Një raund i ri bisedimesh për çështjen e emrit të Maqedonisë sot do të zhvillohet në Nju Jork midis ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimic dhe përfaqësuesit të Shkupit, Nikolla Dimitrov.
Këtij takimi i ka paraprirë takimi i djeshëm midis ndërmjetësit të Kombeve të Bashkuara Metju Nimic dhe përfaqësuesit të palës greke, Adamantios Vasilakis. Konsultimet e ndara që Nimici i mban me negociatorët e të dyja palëve janë në funksion të takimit të përbashkët që të enjten duhet të mbahet në selinë e Kombeve të Bashkuara. Ky do të jetë takimi i parë i përbashkët gjatë periudhës së fundit prej dy muaj e gjysmë.
Nga zyra e Nimicit, nuk janë dhënë detaje lidhur me takimin e së enjtes dhe axhendën se a bëhet fjalë për takim konsultativ, vazhdim zyrtar i bisedimeve apo ndonjë propozim i ri për emrin e Maqedonisë.
Kreu shtetëror në Shkup para takimit të nesërm ka zhvilluar mbrëmë një takim të përbashkët midis presidentit Branko Cërvenkovski dhe kryeministri Nikolla Gruevski, ku ka qenë i pranishëm edhe përfaqësuesi në negociata Nikolla Dimitrov. Në komunikatën zyrtare bëhet e ditur se negociatorit Dimitrov i janë dhënë "kahje dhe instruksionet në pajtim me interesat shtetërore të Republikës së Maqedonisë". (INA)