Sot jemi të gjithë gërdecarë...
Një shoqëri normale, që ushqen brenda vetes respektin për vlerat njerëzore dhe që e di çfarë është dinjiteti, do të bashkohej sot me ata banorët e Gërdecit që janë futur në grevë ekstreme.
Një sjellje e denjë kundrejt tyre - në këtë rast do t’i sherbente të gjithë shqiptarëve, të cilët janë në njëfarë mënyre të tërë gërdecarë. Ne duhet të kuptojmë që të mbështesësh sot ata të mjerë, nuk do të thotë të mbështesësh njërin apo tjetrin krah të kësaj politike bastardësh. Ne duhet të kuptojmë që të respektosh sot ata njerëz të varfër, do të thotë të respektojmë veten.
Mbështetja ndja tyre nuk duhet të kondiciohet nga fakti nëse jemi larg apo afër Gërdecit, e nëse kemi apo jo ndonjë kushëri atje. Nuk ka lidhje. Mbështetja për ta, është mbështetje për kauzën qytetare, e kapur fort për fyti nga një politikë kriminale, bajraktare, e padenjë për qytetarët e këtij vendi.
Dhe këtu nuk flas vetëm për qeveritarët që janë implikuar direkt në këtë aferë që vrau fëmijë dhe tenton të ekzekutojë çdo vlerë njerëzore. As për atë deputetin e (për)mjerë që në vend të përfaqësojë ata, thotë që kërkesat e tyre janë të ekzagjeruara.
Flas edhe për të tjerë që luajnë në skena të tilla, jo për të mbështetur realisht ata njerëz, por sepse e dinë që nuk ka risk deshtimi dhe duartrokitjet janë të sigurta. Harrojnë që duartrokitjet janë shumë të shkurtra dhe të zbehta... Sepse jepen në hidhërim...