Bayern paralajmëron: Tërmet në Stuttgart

Mediat dhe ekspertët e futbollit gjerman kanë dribluar së fundmi rekordmenët e Gjermanisë dhe kreun e pankinës së tyre. Shumë zhurmë, kritika pa fund i janë adresuar mjeshtrit Jup Hejnckes, i cili me nervin dhe influencën e tij pritet t`u kthejë përgjigje kritikëve në ndeshjen e kupës kundër Shtutgartit.
Rezultatet e fundit kanë bërë që bavarezët të tradhtohen edhe nga kajzeri Franc Bekenbauer, i cili favorizon për titullin Borussian e Dortmundit. Ndërsa eksperti Mario Basler me arrogancën e tij nuk dëshiron të shohë në fushë dribluesin holandez, Arjen Robben.
Por, teksa të tjerët flasin, vendimet, strategjitë dhe projektet vulosen vetëm nga tekniku bavarez, i cili në konferencë për shtyp ka dhënë “bombën” e tij.
“Nuk keni pse të shqetësoheni kaq shumë për atë barazim, apo për ndonjë lajthitje të momentit nga ana jonë. E kuptoj shqetësimin tuaj, por mos harroni se keni përballë një ekip të ngjashëm me atë të dy viteve më parë, që shumë shpejt do të shpërthejë dhe do t`ju bindë. Jepini kohë dhe mos përhapni panik. Ju garantoj se në Shtuttgart keni për të parë një Bayern gjigand", deklaroi Heynckes.