E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inzaghi rikthehet ne Milan-Juventus

Kishte kohë që e priste këtë çast, prej kohësh e ndjen larg aromën e golit. Por, edhe një 38-vjeçar ka shpresë dhe nuk dorëzohet. Filipo Inzagi do të ketë sot mundësi të luajë në “San Siro” që nga minuta e parë, ndërsa Milani i tij pret Juventusin në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë. SuperPipo ka shumë vlerësim për kundërshtarin
“E dija se me drejtuesit që kanë dhe me trajnerin Konte, i cili e përjeton shumë futbollin, do të bëheshin sërish shumë të fortë. Juventus po bën një sezon shumë të mirë, edhe sepse nuk ka Ligën e Kampionëve, por gjithashtu ne kemi synimet tona. Do të jetë një betejë e fortë, një ndeshje e bukur futbolli mes dy skuadrave të forta. Shpresojmë që të fitojmë ne”.
Milani ka mungesa, pasi trajneri Alegri po ruan forcat për Serinë A dhe Ligën e Kampionëve, ndërsa ambienti është tronditur nga pezullimi prej 3 ndeshjesh i Ibrahimoviçit, të cilin Inzagi e vlerëson shumë.
“Më vjen keq që kam pasur shumë pak mundësi për të luajtur në krah të Ibrës. E vlerësoj si një lojtar të madh. Sa herë që kemi luajtur së bashku gjithçka ka ecur mirë, kam shënuar gola si ata ndaj Realit. Më vjen keq për atë që i ndodhi dhe shpresoj që t’ia ulin pezullimin me një ndeshje”.
Juventusi bën mirë që të bëjë kujdes, pasi me Inzagin në fushë asnjëherë nuk e ke portën të sigurt.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›