Ferguson, trajneri i shekullit

Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, kryeson klasifikimin e trajnerëve më të mirë në botë të shekullit XXI, renditje e bërë nga Federata Ndërkombëtare për Histori dhe Statistika në Futboll (IFFHS).
Strategu skocez është ‘kampion’ përballë homologëve. Rivali i tij nga Premierliga, menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, renditet i dyti, kurse ‘podiumi’ kompletohet nga Jose Mourinho i Real Madridit. Befason pozita e strategut të Barcelonës, Pep Guardiola, i cili renditet i 22-ti.
Kryesimi i Fergusonit nuk është për t’u habitur. Ai udhëheq Manchester Unitedin nga viti i largët 1986, kurse nuk ka ndërmend të ndalet. Djajtë e Kuq sezonin e kaluar fituan titullin e tyre rekord të 19-të në Premierligë, duke u bërë skuadra më e titulluar në kampionatin anglez.
Pas treshes së parë vijnë selektori i Anglisë, Fabio Capello, trajneri holandez Guus Hiddink dhe trajneri i ri i Paris Saint-Germainit, Carlo Ancelotti. Më pas vijnë selektori i Spanjës, Vicente del Bosque dhe trajneri i Athletic Bilbaos, Marcelo Bielsa. Top 10-ta kompletohet nga trajneri i Palmeirasit, Luiz Felipe Scolari dhe spanjolli Rafael Benitez.
Renditja e trajnerit të shekullit XXI
1. Sir Alex Ferguson 166 pikë
2. Arsene Wenger 165
3. Jose Mourinho 154
4. Fabio Capello 135
5. Guus Hiddink 112
6. Carlo Ancelotti 108
7. Vicente del Bosque 104
8. Marcelo Bielsa 101
9. Felipe Scolari 101
10. Rafael Benítez 97