E Martë, 3 Nëntor 2026

Baykar, prodhuesi i dronëve luftarakë fillon ndërtimin e fabrikës së re në Kiev

Kompania turke, Baykar, që njihet për prodhimin e dronëve luftarakë “Bajraktar” (o. “Bayraktar”) të përdorur edhe në luftën Rusi–Ukrainë për të shkatërruar arsenalin rus, ka filluar ndërtimin e një fabrike të re brenda territorit ukrainas.

Baykar është pajisur me lejet e posaçme për të prodhuar dronë luftarakë në Ukrainë në muajin qershor 2023, ndërsa marrëveshja u lidh në shkurt 2022 para se Rusia të niste pushtimin e vendit.

Investimi do i kushtojë kompanisë turke rreth 95 milionë euro dhe prodhimi i mjeteve është planifikuar të nisë në vitin 2025.

Drejtuesit e kompanisë thanë për agjencinë e lajmeve “Reuters” se pavarësisht konfliktit në vazhdim mes Rusisë dhe Ukrainës dhe rrezikut që mund t’i kanoset, “asgjë nuk do e ndalë” planin aktual për fabrikën.

Baykar thotë se prodhimi vjetor do të jetë rreth 120 njësi në vit, por nuk e ka përcaktuar modelin e dronit – TB2 apo TB3 – që do të prodhojë në fabrikën ukrainase.

Dronët luftarakë “Bajraktar” janë blerë nga rreth 30 shtete të botës, mes tyre edhe Shqipëria. Vitin e kaluar qeveria shqiptare arriti marrëveshjen për tre mjete të tilla të armatosura për qëllime lufte ose për monitorimin e territorit. /KI

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›