Beçaj: Presidenti të bëjë kujdes me propozimet e gjyqtarëve

Kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj ka kërkuar nga presidenti të bëjë kujdes me propozimin e gjyqtarëve në këtë gjykatë pasi sipas saj në këtë institucion duhen emra që të mos ndikohen nga presionet politike.
Ndërsa ka raportuar në komisionin e ligjeve ku po shqyrtohet projektligji për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, Beçaj ka paraqitur edhe një sërë problemesh që has ky institucion.
Sipas saj, funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe shtimi i çështjeve në shqyrtim është një problem madhor për këtë gjykatë. Një tjetër problem sipas saj mbetet edhe shtimi i vendeve vakante ku si pasojë e mosmarrëveshjeve në Parlament nuk emërohen gjyqtarët e rinjë në këtë gjykatë.
Ndërkohë në mbledhjen e kaluar të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, opozita kërkoi më shumë kohë për t`u njohur me draftin që parashikon ndryshime në Ligjin për Gjykatën e Lartë. Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafa, tha se PS nuk mund të shqyrtojë draftin pa u njohur fillimisht me të.
Projektligji "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë” kërkon 84 vota për t`u miratuar dhe parashikon ristrukturimin e këtij organi të drejtësisë. Në draft parashikohen kritere më të rrepta për përzgjedhjen nga presidenti të Gjyqtarëve të Lartë, si dhe marrjen e pëlqimit paraprak nga Kuvendi para çdo dekretimi.