Propozimet e PS-së, Montobio: Të lidhet marrëveshje konkrete

Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës ka theksuar se mbi bazën e propozimeve të paraqitura nga PS-ja duhet të ketë një marrëveshje konkrete
TIRANË - Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio, me cilësinë e vendit, që ka Presidencën e radhës së BE-së, ka deklaruar dje se situata politike duhet të tejkalohet nga lidershipi politik shqiptar. Ambasadori spanjoll e ka cilësuar pozitive lëvizjen e opozitës për tu futur në Kuvend, ndërkohë që ka theksuar se mbi bazën e propozimeve të paraqitura nga PS-ja duhet të ketë edhe një marrëveshje konkrete.
"Në çdo demokraci, marrëveshjet politike përkthehen në ligje. Fakti që ekziston një propozim, një projektligj që është hedhur në tavolinë na duket faktor pozitiv", - tha Montobio, në një intervistë për Tv "Alsat".
Zoti Ambasador, ju keni ndjekur zhvillimet politike në Shqipëri për shkak se Spanja mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian dhe keni qenë aktiv në deklarimet tuaja.
Dje, opozita hyri dhe doli nga parlamenti. Cili është vlerësimi juaj dhe i Bashkimit Europian për këtë zhvillim politik?
Bashkimi Europian ka bërë një deklaratë publike, në të cilën ka shprehur opinionin e vet, dhe ne konsiderojmë se situata politike në Shqipëri duhet të tejkalohet nga lidershipi politik shqiptar, dhe që veprime të caktuara duhet të ndërmerren që të mos ketë një ngërç politik që të kushtëzojë interesat kombëtare të Shqipërisë. Hapat e tjerë që Shqipëria duhet të hedhë, dhe që Bashkimi Europian dëshiron që ajo të hedhë, duhet të jenë ato të avancimit drejt perspektivës europiane.
Në këtë kuptim, hapi i ndërmarrë është një prej veprimeve që ne po kërkonim, dhe përbën një fakt pozitiv, të cilin e përshëndesim dhe e përgëzojmë, pasi në çdo moment kemi thënë se ngërçi politik duhet të zgjidhet përmes dialogut dhe se vendi i dialogut është parlamenti.
Në këtë kontekst, kjo na duket një gjë pozitive. Besoj që është pozitive, sepse hapë një dritare mundësish për zgjidhjen e krizës politike aktuale dhe në këtë kuptim rezultati i diferencave politike duhet të jetë një marrëveshje. Në çdo demokraci, marrëveshjet politike përkthehen në ligje.
Fakti që ekziston një propozim, një projektligj që është hedhur në tavolinë na duket faktor pozitiv. Ky projektligj, përmes të cilit kërkohet të ngrihet një komision parlamentar, është pritur nga mazhoranca, duke i ofruar opozitës shumicën drejtuese brenda këtij komisioni.
Pra, ekziston një moment i veçantë që duhet përfituar dhe e nxisim lidershipin shqiptar të përfitojë sa më shumë nga ky moment, dhe të arrijnë në një marrëveshje përfundimtare që bën të mundur normalizimin e jetës politike, dhe të përqendrojë përpjekjet në hapat dhe sfidat që Shqipëria duhet të përballojë në një afat të shkurtër për të avancuar në realizimin e perspektivës së saj europiane.
Të jemi më të drejtpërdrejtë, ju flisni për një marrëveshje që nuk u arrit tek Presidenti, as me delegacionin e Këshillit të Europës. Si mendoni se do të arrihet një marrëveshje, pasi deri tani kemi vetëm një lëvizje të njëanshme të opozitës që ofron atë që gjithmonë ka kërkuar.
Nga ana tjetër, mazhoranca vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim. Ju thoni që ka një hap përpara, por në fakt duket se kemi mbetur në vend?
Është bërë një hap përpara dhe jam i bindur për këtë gjë. Të gjithë hapat paraprakë duhet të çojnë në një situatë finale, që është se nëse duhet të ngrihet një komision parlamentar lidhur me ç'ka ngjarë në zgjedhjet e shkuara, është një gjë për të cilën të dy palët kanë qenë dakord prej disa muajsh, por pikërisht për këtë nuk ka marrëveshje prandaj dhe jemi në këtë situatë sot.
Dhe të themi se tani lufta është se cili është mandati i këtij komisioni. Por, gjithsesi, ku duhet të aprovohet kjo gjë është në parlament dhe për këtë duhet të jesh në parlament.
Por, opozita nuk është në parlament?
Opozita ka dërguar një propozim në parlament dhe ajo që duhet të ketë rëndësi dhe që të vlerësohet është që në bazë të këtij propozimi duhet të ketë një marrëveshje, që të lejojë të zgjidhet ashtu siç kemi thënë në deklaratën tonë, këtë ngërç politik. Ne mendojmë se situata mund të zgjidhet vetëm në një mënyrë duke pasur vullnet politik për të bërë marrëveshje dhe atë duhet ta bëjë mazhoranca dhe opozita. Të tjerët janë ndërmjetësues.
Por, në një demokraci të zgjedhur nga populli për t'u përfaqësuar janë pikërisht deputetët dhe ata që duhet të bien dakord për ligjet. Në vizitën e saj të fundit në Beograd, baronesha Ashton përfaqësuesja e marrëdhënieve me jashtë në Bashkimin Europian, duke ju referuar Shqipërisë tha se ajo është në favor të dialogut politik konstruktiv duke u fokusuar në mënyrë konstruktive në arritjen e një marrëveshje dhe kjo varet nga palët që duhet të bëjnë marrëveshjen, që janë mazhoranca dhe opozita.
A jeni optimist se jemi pranë zgjidhjes së krizës politike në Shqipëri?
Siç e thashë, ka një dritare mundësish dhe ajo që duhet të pyesim në mënyrë konstruktive është se çfarë mund të bëhet në këtë moment dhe është përfitimi nga kjo mundësi që na jepet për të gjetur një zgjidhje dhe shpresoj të ketë një ndërgjegje të kostos që ka për vendin humbja e kësaj mundësie.