Beci: Kantieret e hapura në Shkodër, mesazhi më i mirë ndaj çdo akuze politike

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Nga investimi më i ri që ka nisur në Shkodër, në rrugën e Shirokës, kryebashkiaku Benet Beci u shpreh se puna dhe kantieret e hapura në Shkodër janë mesazhi më i mirë ndaj çdo akuze politike, diskutime nga të cilat Shkodra ka qenë “peng” i politikës së vjetër prej 30 vitesh.
Kryebashkiaku Beci inspektoi nga afër nisjen e punimeve të një projekti të ri në rrugën e Shirokës ku po rindërtohet me asfalt rruga e biçikletave duke zëvendësuar pllakat e gurit që krijonin shqetësim për përdoruesit e biçikletave, si dhe një sërë ndërhyrjesh të tjera që do ta bëjnë më të këndshme vizitën në liqenin e Shkodrës.
Me investimin në Shirokë-Zogaj, pritet që i gjithë bregu perëndimor i liqenit të ketë korsinë e biçikletave.
Sipas kryebashkiakut të Shkodrës, janë një sërë investimesh publike në një vlerë të konsiderueshme prej rreth 50 milionë euro që janë në proces në bashkinë Shkodër, me financim të qeverisë shqiptare e bashkisë Shkodër. Në qytet po punohet në rrugën hyrëse dhe dublimin e rrugës së Bahcallëkut, parkun 19 hektarë tek Ura e Bunës, rikualifikimi urban i Zdrales, pastrimi i liqenit të cilat po krijojnë një impakt surprizues jo vetëm për banorët e Shkodrës, por edhe për vizitorët e shumtë që i drejtohen kryeqendrës së veriut.
/r.e//a.f/