E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbështetje për nënat me tre fëmijë, shtohet numri i nënave përfituese nga paketa sociale

Numri i nënave me tre fëmijë, që kanë përfituar nga paketa sociale për pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat u shërbejnë në të ardhmen për pension, ka ardhur në rritje që prej hyrjes në fuqi të nismës në vitin 2023.

Drejtorja e Shërbimit Social Shtetëror në Korçë, Entela Fejzo, bën me dije se numri më i lartë i nënave përfituese për Qarkun Korçë shënohet në Bashkinë Pogradec.

“Në vitin e parë të implementimit të nismës kanë përfituar 517 nëna, të cilat kanë tre fëmijë, por kanë të ardhura nën 100 mijë lekë si familje dhe njëri nga këta fëmijë është nën 5 vjeç. Tre fëmijët duhet të jenë deri në 18 vjeç dhe njëri prej tyre duhet të jetë patjetër nën 5 vjeç. Në vitin e dytë të implementimit kemi një numër prej 413 nënash dhe në vitin 2025 ky numër ka shkuar në 443,” shprehet znj. Fejzo.

Ajo shton se janë disa kritere dhe periudha kohe kur një nënë mund të përfitojë nga kjo paketë.

“Bashkia Pogradec ka numrin më të madh të nënave përfituese, 147 nëna; Bashkia Maliq, 130 nëna; Bashkia Korçë, 110 nëna; dhe më pak Bashkitë Pustec, Devoll dhe Kolonjë,” tregon znj. Fejzo.

Për të përfituar këto sigurime, nëna duhet të kryejë aplikimin në internet përmes portalit qeveritar e-Albania, nga ku merr dhe përgjigjen nëse është përfituese ose jo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›