Beci: Normalizohet qarkullimi në rrugën që lidh Kirin me Qafë-Thoren

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Rruga që lidh fshatin Kir me Qafë-Thoren në Shkodër është hapur për qarkullimin e mjeteve, pas bllokimit të krijuar për shkak të kushteve të motit.
Kryetari i bashkisë Shkodër Benet Beci bëri të ditur sot se pas disa ditësh pune intensive në terren, ka përfunduar ndërhyrja në Kir, në Njësinë Administrative Pult, ku rruga ka qenë e bllokuar në rreth 25 pika si pasojë e kushteve të vështira.
Aktualisht, sipas Becit, situata është normalizuar dhe qarkullimi është i lirë dhe pa probleme për njësitë administrative Shalë, Shosh dhe Pult, me lëvizje të sigurt nga Qafa e Thores.
“Lëvizja vijon pa pengesa, ndërsa strukturat përgjegjëse mbeten në monitorim për garantimin e sigurisë në vijim”, u shpreh Beci.
/m.m/j.p/