E Diel, 1 Nëntor 2026

Beci: Situatë pa probleme në Bashkinë Shkodër pas reshjeve intensive të natës

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Pas një nate me stuhi të forta dhe reshje intensive, Bashkia Shkodër ka njoftuar se situata në territorin e saj paraqitet e qetë dhe pa probleme të shkaktuara nga kushtet atmosferike.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i bashkisë, Benet Beci, i cili theksoi se masat parandaluese të ndërmarra ditët e fundit kanë ndihmuar në shmangien e përmbytjeve.

Sipas tij, të gjitha njësitë administrative të bashkisë Shkodër raportojnë se niveli i ujit në kanalet kryesore dhe anësore është minimal, ndërsa rrjetet e kullimit po funksionojnë normalisht.

Gjithashtu investimet dhe pastrimet e kryera në kanale, si dhe monitorimi i vazhdueshëm i terrenit, kanë ndikuar që reshjet e dendura të mos shkaktojnë probleme për banorët.

Strukturat e emergjencave dhe ekipet e terrenit të bashkisë mbeten në gatishmëri të plotë dhe vijojnë monitorimin e situatës përgjatë gjithë ditës, për të reaguar menjëherë nëse paraqitet ndonjë shqetësim i mundshëm nga reshjet e ardhshme.

Bashkia Shkodër u bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo situatë të pazakontë, ndërsa siguron se mbrojtja e komunitetit mbetet prioritet kryesor në kushtet e motit të paqëndrueshëm.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›