AKMC: Rreth 60 banesa me prezencë uji në Kurbin

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi sot se, strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave civile në të gjithë vendin po vijojnë punën për normalizimin e situatës së krijuar nga reshjet e fundit.
Në disa zona janë shënuar problematika, ndërsa në shumicën e qarqeve situata paraqitet e stabilizuar, thuhet në një deklaratë për shtyp.
Në bashkinë Dibër raportohet mungesë e energjisë elektrike në njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall-Dardhë, Reç, Lurë si dhe pjesërisht në Arras e Fushë-Çidhën. Grupet e OSHEE po punojnë për riparimit e defekteve. Intensiteti i reshjeve në qark është në rënie.
Në Sukth të qarkut Durrës janë prekur disa banesa në fshatrat Kullë, Hamallë dhe Rrushkull, ku ka edhe rrugë të bllokuara. Në Manzë raportohen rreth 48 shtëpi me prani uji.
Në bashkinë Krujë, në Thumanë, Borizanë dhe Mazhë po punohet për hapjen e kanaleve dhe zhbllokimin e rrugëve, ndërsa në lumin e Drojës po forcohet argjinatura për të shmangur daljen nga shtrati. Niveli i ujit ka nisur të bjerë.
Në bashkinë Kurbin vijojnë ndërhyrjet për shkak të rritjes së nivelit të ujit në Mamurras, ku raportohen 50 banesa me prezencë uji dhe 12 të tjera në njësinë Milot. Po punojnë strukturat e bashkisë dhe mjetet e Drejtorisë Rajonale të Ujësjellës Kanalizimeve.
Në bashkinë Mirditë ka ndërprerje të energjisë elektrike në disa fshatra të njësisë Rubik. Nivelet e lumenjve Drin dhe Mat janë brenda kuotave.
Në qarkun Kukës, në disa akse rrugore ka pasur rënie inertesh, ndaj kompanitë kontraktore po punojnë për pastrimin. Në zona të thella malore ka mungesë energjie, dhe ekipet e OSHEE-së po punojnë për rikthimin e furnizimit.
Në qarkun Shkodër nuk raportohen problematika. Vijojnë punimet në kanalin e Gurit të Zi dhe në segmentin pranë urës së Dajçit për garantimin e qarkullimit të ujërave. Në zonën e “Harkut të Bërdicës” po kryhet pastrim i depozitimeve që pengojnë rrjedhën. Bashkitë e tjera nuk raportojnë probleme.
Në qarqet e tjera si: Gjirokastër, Vlorë, Fier, Elbasan, Berat, Tiranë nuk raportohen problematika nga reshjet. Ndërsa në Korçë po punohet për rikthimin e energjisë në disa njësi.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbeten në monitorim të vazhdueshëm dhe në kontakt me strukturat vendore të mbrojtjes civile, me qëllim marrjen e të gjitha masave të nevojshme në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike.
/gj.m/r.e/ /a.g/