E Diel, 1 Nëntor 2026

Gogu: Krijim i një regjistri elektronik për vullnetarizmin

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike projektligjin “Për vullnetarizmin”.

Në fjalën e tij Gogu u shpreh se “ky projektligj aq sa në dukje nuk është një ligj politik, aq edhe “përleshet” me një nga fenomenet shoqërore, me indiferentizmin”.

Nga njëra anë, theksoi Gogu, “projekti rregullon qartë në ndryshim nga ligji ekzistues atë vullnetarizëm që sot është duke ndodhur në shoqërinë shqiptare, pra e mbron vullnetarin”.

Gjithashtu, theksoi Gogu, “mbron punën që këto të dyja të mos ngatërrohen. Vullnetari dhe i punësuari të mos ngatërrohen në asnjë moment, qoftë kur ka raste dashakeqësie, por qoftë edhe kur ka raste neglizhence”.

Nga ana tjetër, nënvizoi ministri, “fuqizon pafund shoqërinë civile”.

Ky projektligj, shtoi Gogu, “mbron vullnetarin nga një punë e detyruar”.

Gogu nënvizoi se, “projektligji e ndalon përdorimin e vullnetarëve për të zëvendësuar punonjësit e paguar. Ndalon veprimtaritë vullnetare me orare dhe disiplinë si punëtorët e fabrikës. Vullnetarizëm 8 orë, pa pushim, pa paguar, nuk ka”.

Gogu theksoi se, projektligji gjithashtu vendos kufijtë për të miturit dhe të gjitha ato shtresa të pambrojtura, duke vendosur parimet e qarta të mosdiskriminimit.

“Ky projektligj krijon një regjistër elektronik për vullnetarizmin. Pra, çdo orë vullnetarizmi që ofrohet dhe çdo orë shërbimi të cilësuar ekspertize apo qoftë edhe shërbimi i përgjithshëm shënohet në një regjistër”, u shpreh Gogu.

“Nga buxheti i shtetit parashikohen fonde për ngritje të programeve të specializuara të vullnetarizmit, por edhe të njohjes së atyre që janë kampionë të vullnetarizmit, përmes çmimeve të caktuara. Gjithashtu dhe zyrtarizohet me certifikatën e vullnetarizmit”, tha Gogu.

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, foto: Andrin Hoxha 1 nga 9

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›