E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beckham divorc nga porshi

Shpërngulja e David Beckham në Britani ka detyruar ish-kapitenin e kombëtares angleze që të shesë porshin e tij të dashuruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në lajmin e raportuar prej të përditshmes “The Sun”, mësohet se modeli 911 turbo, me të cilin Becks shëtiste në Beverly Hills është nxjerrë në ankand në faqen “Ebay”, ku aktualisht ka arritur vlerën e 110 mijë dollarëve.

Ish-futbollisti i Manchester United, Real Madrid e Milan shpenzoi 100 mijë paund për blerjen e makinës në vitin 2008, plus edhe 50 mijë paund të tjerë për ta modifikuar sipas dëshirës së tij.

Ankandi për makinën e zezë, të veshur me një veshje të veçantë dhe me disqe të rralla do të përfundojë në datën 10 janar, me personin që do të japë ofertën më të mirë që do ta bëjë të tijin mjetin.

Midis sistemeve të veçanta të porshit të Beckham-it përfshihen edhe sediljet me ngrohje, sistemi që parkon automatikisht makinën apo një sistem i rrallë audio për dëgjimin e muzikës.

Makina sportive është në gjendje të kapë 100 kilometra në orë nga nisja për vetëm katër sekonda, falë motorit turbo me 360 kuaj fuqi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›