Begaj: Vendi i 11-të? Nuk ishte dita ime më e mirë
Peshëngritësja rrëfen arsyet e dështimit në Lojërat Olimpike Londër 2012
Ishte konsideruar si një nga shpresat e mëdha të Shqipërisë, përkrah xhudistes së re dhe të talentuar Majlinda Kelmendi, për të marrë medaljen e parë kuqezi në 116 vite histori të Lojërave Olimpike. Por në Londër 2012, Romela Begaj u bë pjesë e zhgënjimit të madh të shqiptarëve. Peshëngritësja shqiptare nuk ka mundur të shkojë më shumë se vendi i 11-të në konkurrimin e saj në Lojërat Olimpike Londër 2012, në peshën deri 58 kg. Begaj 25-vjeçare ngriti 216 kg në dygarësh, duke arritur peshën 101 kg në stilin e shkëputjes dhe peshën 115 kg në atë të shtytjes. Ky është rezultati më i mirë i arritur nga sportistët tanë deri tani në Olimpiadë, ndonëse Begaj pretendonte për më shumë, duke synuar të ngrinte të paktën 226 kg në dygarësh. Edhe nëse do ta kishte realizuar këtë synim, sërish Begaj nuk do të ishte renditur më mirë sesa vendi i 10-të. Me peshën që arriti të ngrejë, ajo barazoi rezultatin e katër viteve më parë në Olimpiadën e Pekinit, në 2008, ku gjithashtu kishte realizuar 216 kg në dygarësh. Veçse, në atë Olimpiadë, renditja e Romelës ishte shumë më e mirë se sa tani, sepse ajo doli në vendin e 6-të. Gjithsesi, peshëngritësja jonë arriti një rezultat paksa më të mirë se sa ai që i dha titullin Nënkampione e Europës, në muajin prill të këtij viti, në Antalia, ku ngriti 215 kg në dygarësh. Veçse, ndryshe nga Europiani, në Londër 2012, shumica e konkurrenteve ishin aziatike dhe amerikanojugore, ndërsa ukrainasja Kalina nuk mori pjesë fare në Antalia. Medaljen e artë në këtë peshë e fitoi kinezja Li me 246 kg në dygarësh, e ndjekur nga tajlandezja Sirikajev, me 236 kg dhe ukrainasja Kalina, me 235 kg. Peshëngritësja shqiptare Romela Begaj flet për herë të parë për garën në Londër 2012, ku ajo u rendit në vendin e 11-të dhe nuk arriti objektivin kryesor, zonën e medaljeve. Për mua ishte një ditë e keqe, nuk kishte në radhë të parë shans. E dyta, ishin edhe shumë faktorë të tjerë, që nuk arrita ato rezultate që mora, kam qenë dy kg sipër rekordit olimpik. Kam luftuar për këtë garë, jam lodhur, kam derdhur djersë, por kështu ishte fati. Megjithatë, nuk jam e zhgënjyer. Unë dola e 11-ta, nuk mund ta hedh poshtë punën time, tha Begaj. Përsa i përket rastit Pulaku, Romela pohon se faji është i të gjithë institucioneve përgjegjëse për sportin shqiptar. Frika e saj më e madhe është dënimi i saj apo i një sportisti tjetër për shkak të Pulakut. Për mua është gjë shumë e keqe, unë rrezikoj, rrezikon dikush tjetër në të ardhmen për një dënim më të madh. Është shumë e keqe, sepse unë punoj, ushqehem dhe mbaj familjen me këtë punë. Unë nuk kam pse dënohem nga dikush, unë mbaj përgjegjësi për veten time, ashtu si duhet të mbajë secili përgjegjësi për veten e vet. Faji tek ne mbetet jetim. Çdo institucion ka përgjegjësitë e veta, nga më i madhi deri tek më i vogli. Nëse ata nuk mbajnë përgjegjësi për ne, atëherë kush do mbajë përgjegjësi, sportisti?! Sportisti mund të bëjë çdo gjë, nëse ti nuk e kontrollon. Atëherë ai nuk ka faj, theksoi Begaj. Nënkampionia e Europës kërkon në këtë moment më shumë se kurrë mbështetjen e shqiptarëve, pasi ajo do të vazhdojë të punojë fort për aktivitetet e tjera ndërkombëtare, përfshi këtu edhe Lojërat Olimpike Brazil 2016. Unë do të vazhdoj punën time, në çdo kompeticion të jap maksimumin. Sportistët duhen mbështetur edhe në ditë të tilla, jo vetëm kur fitojnë, tha Begaj. Megjithatë, peshëngritja shqiptare ende nuk e ka mbyllur llogarinë me Olimpiadën Londër 2012. Sot do të paraqitet në pedanën e peshëngritjes, Endri Karina, në peshën deri 94 kg, garë që zhvillohet në orën 16:30.
Begaj: Vendi i 11-të? Nuk ishte dita ime më e mirë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip