Rama: Jemi në udhëkryq, duhet rilindje
Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama iu drejtua sot shqiptarëve me një opinion të dërguar në të përditshmet kryesore ku deklaron se vendi gjendet në udhëkryq dhe se qeveria po shet pasuritë publike me qëllimin e vetëm për të ruajtur pushtetin e vet.
Sali Berisha synon përjetësimin e pushtetit të vet përmes marrjes së kontrollit të plotë mbi paranë e mbi çdo institucion të këtij vendi. Korrupsioni shton pushtetin, korrupsioni absolut e bën absolut edhe pushtetin, thuhet në politologji, thotë Rama në opinionin e tij.
Sot ky është udhëkryqi, ose një rrënim i mëtejshëm përmes korrupsionit absolut që do ta vendosë Shqipërinë nën një pushtet absolut, ose një Rilindje Shqiptare përmes një rruge të re që do ta fusë Shqipërinë në drejtimin e merituar, vijon më tej Rama.
Kryetari i Socialistëve bëri të ditur se shumë procedura privatizimesh do të rishikohen në rast se partia e tij do të vijë në pushtet në zgjedhjet e ardhëshme, por bëri gjithashtu të ditur se këto rishikime do të jenë brenda kuadrit ligjor.
Duke folur për tenderin e lotarisë kombëtare, i cili përfundoi para pak ditësh, Rama tha se kjo lotari nuk duhet të kthehet në një biznes ku qeveritarët fitojnë dhe të gjithë shqiptarët humbasin.
Rama: Jemi në udhëkryq, duhet rilindje burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip