Begaj pret Senatorin amerikan: Shqipëria, një aleate besnike e Shteteve të Bashkuara

Presidenti, Bajram Begaj ka pritur këtë të enjte (6 prill) në takim Senatorin amerikan, Steve Daines, ndërsa ky i fundit ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Gjatë takimit, Begaj vlerësoi se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të një rëndësie parësore, shumëdimensionale dhe dinamike, ndërsa theksoi se vendi ynë do të mbetet një aleate besnike e Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Begaj vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë me SHBA-të.
“Transformimi, modernizmi dhe niveli i lartë profesional që Forcat e Armatosura zotërojnë sot si anëtarë të denjë të NATO-s, janë edhe falë kontributit dhe mbështetjes së dhënë nga SHBA në fushën e arsimimit, pajisjes me kapacitete moderne dhe stërvitjeve të përbashkëta. Seria e stërvitjeve Defender Europe, krahas demonstrimit të aftësive profesionale, kapaciteteve operacionale dhe gatishmërisë në mbrojtje të vlerave euro-atlantike është një tregues i marrëdhënieve të shkëlqyera të bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve ndërnjerëzore ndërmjet ushtarakëve të dy vendeve”, shprehet Begaj.
Gjithashtu Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe bashkëpunimin e ngushtë mes agjencive të specializuara të të dy vendeve për përballimin e sulmeve kibernetike të vitit të shkuar nga aktorë të lidhur me agjencitë shtetërore iraniane, si dhe e informoi Senatorin mbi vendimin aspak të lehtë, por të drejtë, të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin.
Ndalur te bashkëpunimi shumëpalësh, Presidenti Begaj evidentoi në mënyrë të veçantë bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Shqipëria prej 1 janarit 2022 mban një vend jo të përhershëm.
Presidenti Begaj nënvizoi se “hartimi së bashku i disa rezolutave, veçanërisht atyre që dënonin agresionin rus ndaj Ukrainës, por jo vetëm, dëshmuan besim të fortë ndaj Shqipërisë mike dhe aleate”.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën dhe tek efektet, në shumë aspekte, që agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka prodhuar për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke evidentuar se mbështetja thelbësore që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i japin dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i shërben së pari normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, si dhe paqes së qëndrueshme e sigurisë në të gjithë rajonin.
Senatori Daines shoqërohej në këtë takim nga Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim.
/rtsh.al/