Begaj takohet me arbëreshët, kreu i shtetit i cilësoi si ura e gjallë e miqësisë shqiptaro-italiane

Gjatë vizitës në provincën e Tarantos, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj u takua me komunitetin arbëresh në San Marzano di San Giuseppe, ku fillimisht vendosi një kurorë pranë bustit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në shenjë nderimi për figurën që mishëron qëndresën, dinjitetin dhe lirinë e shqiptarëve. Kreu i shtetit vlerësoi mënyrën se si arbëreshët komuniteti arbëresh kanë ruajtur ndër shekuj gjuhën, kulturën, besimin, zakonet dhe traditat, duke u integruar njëkohësisht plotësisht në shoqërinë italiane dhe duke u bërë ura e gjallë e miqësisë mes dy vendeve.
“Italianët u hapën dyert, shqiptarët sollën me vete pasurinë që askush nuk mund t’ua merrte dot. Atë pasuri që lidhet me gjuhën, besimin, zakonet dhe kujtesën. Gjetën një atdhe, një atdhe të dytë, por nuk e humbën kurrë të parin. Ata për pesë shekuj kanë lidhur të shkuarën me të tashmen, Shqipërinë me Italinë, kujtesën me të ardhmen. I ruajtët gjuhën arbëreshe kur ajo nuk mësohej në shkolla. Ruajtët zakonet kur rrethanat ndryshonin. Ruajtët besimin, traditat dhe kujtesën duke i përcjellë ato brez pas brezi.”, tha Begaj.
Kreu i Shtetit u ndal veçanërisht te rëndësia e ruajtjes dhe përcjelljes së gjuhës arbëreshe te brezat e rinj, duke apeluar që ajo të mos mbetet vetëm një gjuhë e kujtesës.
/rtsh/