Begu: Nuk kam lidhje me "bandat" e Durrësit
I akuzuari për përgatitjen e atentatit ndaj Lul Berishës mohon akuzat në gjykatë
TIRANË- Para togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet, i ekstraduari i katër ditëve më parë nga Italia, i pandehuri Kristian Begu ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke i cilësuar të pakuptimta.
Gjatë fjalës së tij para trupi gjykues ndër të tjera i pandehuri Begu vetëdeklaroi pafajësinë e tij, duke u shprehur "nuk kam pas dhe nuk kam lidhje me asnjë bandë të Durrësit dhe nuk kam organizuar asnjë vrasje".
Në seancën e djeshme të verifikimit të masës së sigurisë vetë i pandehuri Begu nuk preferoi të japë shumë detaje në lidhje me akuzat e ngritura nga prokuroria, të cilët e cilësojnë të pandehurin si bashkëpunëtor në organizimin e Endrit Dokles për vrasjen e të pandehurit Lulëzim Berisha, në shenjë hakmarrjeje të vrasjes së Klodian Saliut.
Togat e zeza, pasi dëgjuan pretendimet e Begut dhe të dhënat e tij personale, i komunikuan 33- vjeçarit masën e sigurisë dhënë në vitin 2006 me "arrest me burg" në mungesë. I pandehuri Begu në mesin e muajt gusht u arrestua në Torino të Italisë për llogari të shtetit shqiptar dhe u ekstradua vetëm katër ditë më parë, për tu gjykuar për akuzat e ngritura ndaj tij si ajo e "vrasjes së mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim".
Sipas akuzës, i pandehuri Begu kishte "rekrutuar" disa persona nga qyteti i Burrelit që kundrejt pagesës prej 100 mijë eurove të vrisnin Lulëzim Berishën në atentatin e datës 5 prill 2005 në Durrës, ku Berisha i shpëtoi këtij atentati.
Tashmë dosja penale ndaj tij dhe 15 "shokëve të bandës" së Durrësit po gjykohet pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet, ku pritet që të enjten e radhës t'i bashkohet edhe i pandehuri Begu.
----------------------
Tiranë, zjarri djeg shtëpinë dykatëshe
TIRANË- Një zjarr i fuqishëm ka djegur plotësisht ambientet e një shtëpie dykatëshe pranë zonës së "Pazarit të Ri", në kryeqytet, por nga flakët nuk ka patur të dëmtuar. Ngjarja ka ndodhur dje në mëngjes në rrugën "Qemal Stafa", kur ndërtesa e vjetër është përfshirë nga flakët për disa minuta, duke krijuar panik mes banorëve.
Ndërhyrja e shpejtë e banorëve dhe zjarrfikësve ka bërë që të mos ketë të lënduar, por nuk është bërë e mundur evitimi i flakëve para se të përfshinte gjithë godinën. Në ambientet e shtëpisë së djegur jetonin disa familje, por në momentet që ka rënë zjarri nuk ka patur shumë persona në shtëpinë dykatëshe.
Nga të dhënat në lidhje me ngjarjen mësohet se fqinjët e familjeve që banonin në ndërtesën që është djegur, kanë mundur që të shmangin përhapjen e flakëve si dhe largimin e personave që kanë qenë brenda. Flakët që kishin përfshirë ndërtesën e vjetër që ishte ndërtuar para shumë vitesh kanë qenë rrezik për djegien e ndërtesave të tjera për shkak të vendosjes së shtëpive afër njëra-tjetrës.
Të njoftuar për zjarrin, përveç dy zjarrfikësve kanë mbërritur dhe forca policie të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit. Nga të dhënat paraprake nga dëshmitarë të ngjarjes mësohet se një shkëndijë elektrike mund të ketë qenë shkak i përfshirjes së ndërtesës nga flakët për pak minuta. Godina është bërë e pa banueshme për shkak se pjesa më e madhe e saj është shembur pasi ishte ndërtuar para shumë vitesh.