Gripi i derrit, Godo: Problemi i vaksinës, i zgjidhur
DURRËS- Ministrja e Shëndetësisë ka garantuar sot se janë marrë të gjitha masat për përballimin e situatës që mund të krijohet nga gripi i derrave. Deklaratën e ka bërë gjatë një seminari rajonal që zhvillohet në Durrës, organizuar nga OBSH-ja me përfaqësues të shëndetësisë nga vendet e rajonit.
Sipas Godos, tashmë problemi i vaksinës konsiderohet i zgjidhur, pasi ajo është siguruar. Gjatë takimit është thënë se në vjeshtë situata pritet të përkeqësohet, pasi në këtë kohë virusi mund të jetë shumë më agresiv. Në këtë stinë pritet edhe shtim i numrit të të prekurve, ndërkohë që aktualisht në vendin tonë situata deklarohet të jetë shumë më e qetë se në vendet e tjera.
OBSH-ja ka kërkuar koordinim të punës së spitaleve dhe plotësim kushtesh për akomodimin e të prekurve.
3 shtator
Gripi i derrit, vdes në Greqi shqiptari 25 vjeç
ATHINË- Gripi i derrave i ka marrë jetën një 25 vjeçari shqiptar që jetonte në Greqi.
Jani Metushi ishte prej disa ditësh rëndë dhe kurohej në spitalin Evangjelizmo të Athinës. Ai u shtrua në spital me urgjencë më datën 19 gusht, pasi ishte konstatuar se është infektuar nga gripi i derrave. Virusin dyshohet se e kishte marrë gjatë pushimeve në ishullin Paros të Greqisë.
I riu vuante nga zemra dhe prekja nga gripi i ka shtuar komplikacionet. Sipas mjekëve pacienti kishte vështirësi në frymëmarrje, pasi virusi i kishte shkaktuar pneumoni të rëndë në mushkëri. Sipas tyre, 25 vjeçari prej kohësh kishte pasur probleme kardiake madje edhe aparat për aritminë në zemër.
Në Greqi numri i përgjithshëm i të prekurve me virusin A/H1N1 ka arritur në gati 2000 persona.
Vaksina, OBSH: Kompanitë farmaceutike s'kanë nënshkruar me Shqipërinë
dt. 01 shtator
Deri tani ka vetëm tentativa por asgjë të nënshkruar për sigurimin e vaksinës kundër gripit të derrave. Drejtori i OBSH-së për Shqipërinë Anshu Banerjee thotë se "kompaninë farmaceutike janë të predispozuara që të nënshkruajnë me vendet e mëdha që kanë edhe më shumë njerëz të prekur". Ndërkohë që rekomandon që vendet e rajonit të bënin një porosi të përbashkët për vaksinën.
Vaksina është tashmë në fazën e testimit dhe mjaft vende janë të interesuara për ta pasur atë. Ndërkohë OBSH-ja do të marrë një sasi vaksine, por ajo do te rezervohet per vendet e varfra dhe ato me numër te madh të prekurish.
"Për Shqipërinë është e rëndësishme që ministria ka kontaktuar me disa vende dhe ne po punojmë së bashku për të marre një pjesë të vaksinave. Eshtë e rëndësishme të negociojmë që vendet e vogla të mund të sigurojnë vaksinën. Vendet e rajonit p.sh mund të bashkohen dhe të porosisin së bashku një sasi vaksinash, çka do të rriste numrin dhe do të ishte në interes të firmës farmaceutike. Kjo është diçka me të cilën duhet të punojmë. Për momentin vendet po veprojnë në bazë kontratash individuale", tha, përfaqësuesi i OBSH-se në Tiranë.
Nëse do të sigurohen vaksinat, rekomandohet që në fillim t'i përdorin punonjësit e shëndetësisë, personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna.