E Diel, 1 Nëntor 2026

Bëhet i famshëm edhe berberi i Barack Obamës

Berberi i Barak Obamës, nuk i ngjan fare Ardit tonë. Është një afro-amerikan i shëndoshë, të cilin do të kishit frikë ta shihnit me një brisk në dorë, pa e njohur mirë. Quhet Zariff dhe ka të njëjtën moshë me presidentin e ardhshëm të SHBA-së. Ja një intervistë e shkurtër e tij, marrë në SH2, nga blogu i grupit elektoral të z.Obama.

Të dielën e shkuar, zoti Obama preu flokët tek ju, e bën shpesh?

E ka bërë zakonisht këto 20 vitet e fundit.

Vjen vetëm tek ju?

Mund ta pohoj këtë me plot gojë. Më ka ndjekur që kur punoja në berberhanën e vjetër, atje ku kemi qenë për 80 vjet si familje.

Edhe rruhet këtu?

Jo, vetëm pret flokët, nuk rruhet kurrë

Zgjedh prerje të ndryshme flokësh, apo gjithnjë të njëjtën?

Kjo varet nga momentet, në të cilat ndodhet. Praktikisht varet nga unë, nga ajo çfarë unë zgjedh.

Beson plotësisht tek ju?

Po, sepse vetëm unë ia pres flokët. Jam unë ai që vendos nëse duhet t’ia bëj më të shkurtra, apo më të gjata.

Dhe si ishte prerja e fundit?

Prerja e fundit ishte më shumë një pastrim, por e ardhshmja do të jetë më e shkurtër.

Është e vërtetë që po i thinjen flokët?

Po, por normalisht për një burrë në moshën e tij, it’s not a big deal! (nuk është ndonjë gjë e madhe!) Do të shohim nëse kur të nisë të bëjë presidentin, do t’i bëhen të bardha apo jo.

Çfarë ju thotë kur vjen këtu?

Ai më telefonon dhe vazhdon të lërë takime si të gjithë. Herën e fundit kur erdhi, në televizor ishte ndeshja e futbollit, kështu që folëm për futboll. Bëjmë tifo për të njëjtën skuadër, Chicago Bears. Ai ka udhëtuar kaq shumë, dhe nuk mund ta ndjekë futbollin ashtu si do të dëshironte, kështu që më pyet mua për të qenë i informuar.

Keni vënë re ndonjë ndryshim që kur u shpall kandidat për president?

Jo, është gjithnjë i njëjti njeri. Kjo është gjëja e veçantë e tij, gjithçka që i ndodh, duket sikur nuk e ndryshon.

Ajo e tij është një ëndërr amerikane që bëhet realitet, si e shpjegoni?

Janë gjëra që në Amerikë mund të ndodhin, nëse vendos të punosh rëndë dhe të tregohesh gjenial. Ne tashmë e njohim dhe Amerika po fillon ta njohë, tamam ashtu si e njohim ne, këtu në Hyde Park.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›